Një maturant nga Durrësi ka koleksionuar një arritje mjaft të rëndësishme, që mund të ndikojë drejtpërdrejt në formimin e tij arsimor në vitet e ardhshme.

Gjimnazisti i kolegjit “Turgut Ozal” në Durrës, Gred Braho, është pranuar në Universitetin e Harvardit, me bursë të plotë, një ëndërr kjo për shumë të rinj nga mbarë bota, por që pak arrijnë ta “prekin” me dorë.

“Nxënësi i shkollës sonë Gred Braho falë inteligjencës, punës sistematike dhe të palodhur arriti të pranohet në Universitetin e Harvard-it me bursë të plotë.
Ndihemi krenarë për ty Gred. Të urojmë gjithmonë suksese!”,
– shkruan kolegji “Turgut Ozal” në një status në rrjete sociale.

Por kush është gjimnazisti durrsak që do të bëhet pjesë e një prej universiteteve më të mirë në të gjithë botën?

Gred Braho është një maturant ekselent, një ndër 37 nxënësve durrsakë të vlerësuar me certifikatë mirënjohjeje 3 muaj më parë, në një ceremoni të organizuar nga bashkia e Durrësit.

DurrësLajm kontaktoi me Gredin, për të zbuluar më shumë mbi këtë arritje mjaft të rëndësishme të tij.

Maturanti nga Durrësi e fitoi vetëm pak ditë më parë të drejtën për të studiuar në vitet 2020-2024 në universitetin amerikan të Harvardit, por punën për të arritur deri këtu ka vite që e ka nisur.

“Ka qenë ëndërr e vjetër e imja të studioja në Harvard. Me aplikimin që bëra rrezikova, por arrita atë që aspiroja prej vitesh. Unë konkurova në fazën Early Action, që nënkupton se mund të aplikoja vetëm për një universitet. Nga 6424 aplikime nga gjithë bota u përzgjodhën vetëm 895 kandidatë dhe unë isha një prej tyre. Në datë 12 dhjetor, në orën 01.00 të natës me orën tonë, më dërguan e-mail që kisha fituar. Besoj e kuptoni gëzimin tim dhe të prindërve të mi. Është një ëndërr që bëhet realitet”,– thotë Gredi për DurrësLajm.

Studimi në Harvard me bursë të plotë ishte “qershia” mbi tortë për adoleshentin nga Durrësi, që duket se pas fitoreve vit pas viti nëpër olimpiada kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare ka forcuar në unin e tij ambicien për të koleksionuar fitore të tjera.

Ka qenë në klasë të tetë kur për herë të parë është shpallur fitues në olimpiadën mbarëkombëtare të matematikës me 100 pikë të plota. Më pas, vendi i parë apo i dytë në olimpiadat e matematikës kanë qenë gjithnjë të Gredit.

Vitin e kaluar ai fitoi vendin e tetë në olimpiadën kombëtare të biologjisë, ndërkohë që në Olimpiadën Mesdhetare në Romë ka qenë pjesë e ekipit shqiptar dhe ka mundur të fitojë si ekip medaljen e bronzit.

Matematika është lënda e zemrës për Gredin dhe pikërisht në këtë lëndë do të fokusohet ai në studimet e tij amerikane, që pritet t’i nisë në gusht të vitit të ardhshëm.

Gred do të studiojë në Harvard për Matematikë të aplikuar dhe Shkenca kompjuterike. Por shkencëtari i ardhshëm krahas fokusimit në lëndët shkencore nuk lë pas dore edhe ato shoqërore. Ai është angazhuar në shumë pjesë teatrale në rol protagonisti, di t’i bjerë kitarës (madje i ka dërguar Harvardit edhe disa pjesë muzikore të interpretuara prej tij), por është i angazhuar së tepërmi edhe në punë vullnetare me Kryqin e Kuq, shoqatën CSDC, shoqatën “Udhëtim i lirë” etj.

“Unë i kam mbrojtur vite më parë provimet e SAT-it dhe Toelf-it. Në SAT mblodha 1520 pikë nga 1600 pikë gjithsej. Por krahas rezultateve mjaft të mira që arrita në lëndët që unë i pëlqej, pikë të tjera shtesë kam arritur të mbledh edhe nga aktivitetet e tjera, të cilat i rendita në aplikimin tim. Në Harvard i japin shumë rëndësi nismave të ndërmarra nga studentët. Unë, si i apasionuar pas aktrimit, kam krijuar një website, ku kam mbledhur rreth 30 pjesë teatrale të interpretuara nga adoleshentët shqiptarë në qytete të ndryshme të vendit. Të gjitha këto besoj që kanë ndikuar për atë rezultat mjaft pozitiv që arrita”, thotë Gredi.

Maturanti durrsak ka përpara tani përfundimin e shkollës së mesme në Shqipëri dhe më pas pret të nisë ëndrrën amerikane. Gredi, me arritjen e tij mjaft të rëndësishme, tregoi se kur gjërat bëhen me vullnet, ambicie dhe pasion gjithçka bëhet e mundur, megjithëse ndonjëherë duket si diçka e largët dhe e paarritshme.

M.B.