Sot është mbledhur Task Forca e kontrollit të plazheve në Qarkun e Durrësit, ku merrte pjesë ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako, prefekti Roland Nasto i cili është edhe drejtuesi i kësaj task force, përfaqësues të institucioneve përbërëse të kësaj task force etj.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi se qarku i Durrësit ka sot një hapësirë të madhe publike për të gjithë ata që duan të shfrytëzojnë plazhet. Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave sot janë 30 mijë m2 plazhe publike të lira në të gjithë qarkun, që vihen në dispozicion të banorëve dhe pushuesve-deklaroi ministri Klosi.
Kryetarja e Bashkisë Durrës, Valbona Sako tha se aksioni për lirimin e hapësirave publike rezultoi me impakt pozitiv edhe ekonomik për shkak të të ardhurave që janë 10 milionë më shumë sesa viti i kaluar. “Aksioni i task Forcës për lirimin e plazheve ka sjellë një impakt pozitiv social por edhe tek të ardhurat që janë 10 milionë lekë më shumë se viti i kaluar. Nëse vjet janë mbledhur 40 milionë lekë, këtë vit parashikohen 50 milionë lekë të reja. Hapësirat e plazheve të liruara në Durrës mund të shfrytëzohen tashmë nga rreth 10 mijë banorë. Detyra jonë kryesore është ti shërbejmë qytetarëve dhe pushuesve për të shijuar pushimet e tyre në plazhet e Durrësit”- tha Sako duke siguruar se aksioni do të vazhdojë në të gjithë vijën bregdetare.
Deri tani janë liruar hapësira në plazhin e madh, sektorin Rinia, Currila dhe shkëmbin e Kavajës. Duke iu referuar punës së task forcës, ministri Klosi vlerësoi se sezoni në qarkun e Durrësit deri tani është mirëadministruar në përputhje me kërkesat që dalin nga vkm e stacioneve të plazheve. Kemi një sezon më të pastër, më të sigurtë në rërë dhe në ujë dhe më të qetë përsa i përket ndotjes akustike, kjo falë masave të institucioneve lokale dhe qendrore.
Ministri Klosi tha se numri i pasaportave të huaja që kanë hyrë deri më sot për muajin gusht është rritur me 10% krahasuar me gushtin e një viti më parë, duke shënuar 850 mijë pasaporta të huaja deri më 17 gusht. Ky numër i shtuar është një përgjegjësi më shumë për të ruajtur me fanatizëm standardet e arritura, cilësinë e shërbimit karshi qytetarëve dhe pushuesve të huaj.
Duke iu referuar qarkut të Durësit si një qark kampion në agroturizëm Ministri Klosi kërkoi një bashkërendim të ofertës midis fermave dhe një kalendar të pasur të festave lokale. Plotësimi i një oferte turistike në nivel qarku, zhvillimi i turizmit blu dhe i ekonomisë së detit në një qark që i ka të gjitha mundësitë për të pritur veliera e jahte me turistë të huaj janë strategjitë e reja që duhet të përmbushen nga task forca për vitin 2020.