Policia e Tiranës ka finalizuar këtë të premte operacionin e koduar “Risku” në zonën e Kamzës, duke vënë në pranga dy të rinj të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe mosbindje ndaj urdhrit të efektivëve.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë një 23-vjeçar, i cili lëvizte me motomjet i armatosur dhe me maskë, si dhe pasagjeri i tij 18-vjeçar, i akuzuar për moskallëzim krimi.

Ngjarja është regjistruar në fshatin Çekrezë, ku shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë ndalimi motomjetit me të cilin udhëtonin dy të rinjtë. Drejtuesi nuk i është bindur urdhrit, duke u larguar me shpejtësi, çka ka sjellë ndjekjen nga forcat e policisë.

Pas kapjes së tyre, gjatë kontrollit në motomjet është gjetur një armë zjarri pistoletë me municion luftarak dhe një maskë. Ndërkohë, në banesën e 23-vjeçarit policia ka sekuestruar edhe një armë gjahu dhe një armë sportive.

Operacioni “Risku” u zhvillua në kuadër të kontrolleve dhe punës operative për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë publike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.