Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Irani mund të jetë pas sulmit me dronë ndaj një tubacioni jetik të naftës në Arabinë Saudite, i cili u mbyll përkohësisht si masë paraprake.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite njoftoi të premten se tubacioni Lindje-Perëndim u godit të enjten nga disa dronë të ardhur nga Iraku. Sulmi shkaktoi të plagosur dhe dëme materiale, ndërsa Ministria e Energjisë urdhëroi mbylljen e tubacionit.
I pyetur për incidentin gjatë një vizite në Dublin të shtunën, Trump la të kuptohet se Teherani mund të jetë përgjegjës. “Mendoj se po, ndoshta po”, u tha ai gazetarëve.
Sulmi ka ndodhur në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, me tregjet e energjisë nën presion dhe transportin detar të përballur me ndërprerje të mëdha. Ndërkohë, lufta me Iranin vijon pa një zgjidhje të qartë në horizont, ndërsa Huthitët, aleatë të Teheranit në Jemen, kanë zgjeruar kontrollin e tyre në zona strategjike në Detin e Kuq.
Megjithatë, autorësia e sulmit mbetet ende e paqartë. Rezistenca Islamike në Irak, një grup ombrellë i milicive të mbështetura nga Irani, ka mohuar çdo përfshirje në sulm.





