Nga Mila Ballhysa

Në ditën e dhjetë pas tërmetit, lagje të tëra të Durrësit janë në gjunjë. Ndërsa në rrugët e qytetit është çdo ditë e më i madh numri i automjeteve dhe qytetarëve, dëmet që ka lënë pas lëkundja e 26 nëntorit janë të prekshme kudo. Tërmetet e ditëve të fundit janë gjithnjë e më të lehtë, thuajse të pandjeshëm, prandaj banorët e pallateve të shpallura të pabanueshme kanë mposhtur frikën dhe në pallatet me të çara të shumta e mure të dëmtuar ngjiten pa pushim për të zbritur që andej çdo orendi që për ta ka vlerë.

Në rrugën “Aleksandër Goga”, në pjesën që e kap lagja nr.18, janë një varg pallatesh që i është vënë shiriti bllokues. Ai shërben vetëm për t’u treguar qytetarëve që s’mund të banojnë aty, pasi për t’i frenuar të ngjiten nuk shërben aspak. Në pallatin 8 katësh të ndërtuar nga Mëhill Çela (emrin e mësoj prej banorëve) nuk banon më asnjëri. Pallati është thuajse i bashkuar me pallatin që i qëndron pranë. Të dy janë kthyer në të pabanueshëm. Trotuari para dy pallateve ishte i mbushur paraditen e sotme nga pirgje me valixhe, kuti, thasë të mëdhenj, vazo zbukuruese, fletë dollapësh të çmontuar, divanë, kolltukë, piktura, frigoriferë. Gjithçka që rrethon jetën e një familjeje ishte zbritur poshtë, ndërkohë që punëtorët ngarkonin orenditë dhe plaçkat në një furgon. Nuk është dita e parë që ndodh kjo, banorët prej rreth 72 orësh vazhdojnë këtë ritual. Megjithëse të gjithë ikin nga pallati në katin e parë është një dyqan i vogël. Pronarja e tij ka nxjerrë karriken jashtë dhe është ulur të ngrohet pak në diell në këto ditë të ftohta dimri. Shiriti bllokues i kalon para derës, por ajo e mban hapur dyqanin, me shpresë se dikush do të ndalojë të blejë di¬çka. Në gjithë këtë kaos, dikush, ndoshta, do ketë nevojë për diçka…

Njerëzit shpërngulen me gjithçka kanë, ndoshta për të mos u kthyer më aty. Kur i pyes ku janë sistemuar, shumica e tyre më thonë në hotele apo tek të afërmit. Gjithçka kanë në apartament po e heqin për ta dërguar tek ndonjë dhomë që u kanë liruar të afërmit. Do t’i lënë aty me shpresën se pallati do të rikonstruktohet dhe mund të kthehen sërish. Shumë prej tyre banojnë aty prej rreth 20 vitesh (pallati është ndërtuar në vitin 1996), disa të tjerë janë me qira. Këta të fundit janë tashmë në kërkim të një shtëpie të re, mundësisht të sigurtë! Por a mund të ketë këto ditë siguri për shtëpitë apo pallatet në Durrës???

Në pallatin tjetër, vetëm 20 metra larg këtyre të dyve, një çift është i ulur mbi divanet që kanë zbritur nga apartamenti. Aty pranë kanë edhe tavolinën e mesit dhe disa qese. Burrë e grua qëndrojnë të ulur prej disa minutash pa folur. Ndoshta dhe fjalët u kanë mbaruar pas gjithë traumës që kanë kaluar. Kanë përpara syve pallatin 6 katësh që banorët më thonë që njihet si pallati i ndërtuar nga Marinës, rreth viteve 80. Nuk ka asnjë dallim nga pallatet përreth. Duket sikur dikush e ka kafshuar fort për t’i shkëputur ndonjë copë në mure. Një nga kolonat duket qartë që i ka hekurat të dala jashtë. Çifti vazhdon të qëndrojë i ulur në divan duke fiksuar pallatin. Sa e sa kujtime në këtë godinë, në të cilën kishin menduar ndoshta të kalonin pleqërinë. Natën e 26 nëntorit diçka u thye, ndoshta për të mos u ngjitur më kurrë.

Kur bie nata, banorët thonë se të kap trishtimi. Aty ku më parë kishte jetë, tani ka vetëm godina të braktisura dhe heshtje, një heshtje e trishtë…

Në krahun tjetër të rrugës është lagja nr.8, shumë pallate të së cilës kanë të njëjtin fat me atë të lagjes nr.18. Më shoqëron njëri nga banorët, i cili që nga dita e dytë e tërmetit ka kontaktuar me DurrësLajm për të shprehur shqetësimin për gjendjen në të cilën ndodhet pallati i tij. Për 3 ditë me rradhë, zjarrfikësit larguan ujin që mbulonte kolonat deri në lartësinë një metër, për t’u dhënë mundësi ekspertëve italianë të gjykonin për qëndrueshmërinë e godinës. Bëhet fjalë për godinën 10 katëshe të ndërtuar nga kompania Usluga, e deputetit të PS-së Sadri Abazi, ngjitur me spitalin rajonal. Pallati ka shiritin bllokues. Në katin e parë një supermarket vazhdon të qëndrojë i hapur e të ofrojë shërbim. Bizneset e tjera e ka braktisur godinën. Shumë prej tyre kanë pësuar dëme të mëdha, të cilat dokumentohen nga fotot poshtë. Nuk dinë ende kush do t’ua vlerësojë dëmin e pësuar, kush do t’i kompensojë.

Ndërsa bëjmë të futemi brenda në pallat, tek kati i parë janë dy elektriçistë të OSHEE-së. Po kontrollojnë gjendjen e bokseve dhe matësave të energjisë. Po bëjnë dhe leximin e sahatit. Kanë urdhër të inspektojnë të gjitha pallatet e shpallura të pabanueshme për të kontrolluar bokset dhe matësat, sepse nëse kanë pësuar dëme, të paktën qytetarët të mos jenë të detyruar të paguajnë faturat e fryra që mund të tregojnë matësat e dëmtuar.

Kur elektriçistët bëjnë të largohen, drejt nesh vjen Gëzimi. Është i vetmi banor i pallatit që ka vazhduar të flejë aty që nga nata kaotike e 26 nëntorit. Megjithëse pallati ka dëmtime të shumta dhe është shpallur i pabanueshëm, ai nuk nguron të përdorë ashensorin. Ne të tjerët preferojmë më mirë të ngjitemi në këmbë, për të mos rrezikuar. Dëmet më të mëdha, ashtu si në shumë pallate të tjera në Durrës, i kanë pësuar katet më të ulta. Kudo nëpër kate sheh copa suvaje nëpër shkallë, mure të çara, plasaritje ngado. Dhe për më tepër, është kaq shumë qetësi pas dyerve të kyçyra prej ditësh…

Gëzimi së bashku me gruan e tij banojnë në kat të shtatë. Fatmirësisht kanë vetëm disa dëme të vogla nëpër mure. Janë të vetmit nga rreth 100 familje që banonin aty deri më 26 nëntor, që vazhdojnë të qëndrojnë. Kur e pyes se pse nuk ka ikur, pasi godina nuk është e sigurt pa iu kryer të gjitha rregullimet e nevojshme, më tregon këmbën që e ka në protezë prej 10 vitesh. Para dy ditësh ka qenë tek njësia administrative nr.4, për t’u pajisur me letrën që duhet të paraqesë tek bashkia, por meqë kishte shumë rradhë dhe ai është i sëmurë është larguar prej andej pa e marrë. Së bashku me gruan banon prej 4 vitesh në këtë pallat, në hyrjen që e bleu njëri nga djemtë e tij që jeton jashtë.

Ndihen keq tani që e shohin pallatin e tyre kaq të heshtur, u mungojnë fqinjët me të cilët diskutonin hallet e përditshme. Ndonjë tek-tuk edhe vjen, pasi në disa ballkonë shoh rroba të lara e të varura për t’u tharë. “Qëndrojnë shumë pak, vetëm mbarojnë ndonjë punë, apo marrin ndonjë gjë”,- më thotë e zonja e shtëpisë. Gëzimi e di që pallati i tij ka nevojë për ndërhyrje të shumta që të riparohet tërësisht. Megjithëse i them se nuk duhet të rrezikojë kaq shumë duke qëndruar aty, ai këmbëngul për të mos lëvizur.

“Tani jam roja i pallatit”, më thotë i buzëqeshur. Më vjen mirë që edhe pas gjithë këtyre që kanë kaluar, ai arrin të buzëqeshë, t’i marrë gjërat me sportivitet. Largohem duke i dhënë dorën këtij çifti që mundohet të vijojë normalitetin e jetës së tyre, mes anormalitetit dhe kaosit që mbizotëron përreth.

Ndërsa bëj të iki, kthej edhe njëherë kokën pas. Në sytë e të gjithëve pashë pasigurinë për jetën në ditët dhe muajt në vazhdim. Në kohë normale shumë shtëpi do ishin duke zbukuruar bredhin e vitit të ri, në dyqane do llamburitnin dritat festive, njerëzit do ishin duke bërë përgatitjet dhe shpenzimet për festat e fundvitit. Në ditët e pas tërmetit, Durrësi i ngjan një qyteti që ka pësuar një kataklizmë dhe është ulur në gjunjë, por nuk është thyer. Njerëzit janë të dërrmuar, por thellë brenda vetes i gëzohen jetës. Përtej zbrazëtisë që të krijojnë në zemër rrënojat, dëmet e mëdha, shiritat që rrethojnë pallatet, familje të tëra që shpërngulen e biznese të mbyllura, qyteti i mbijetoi lëkundjes së frikshme të tërmetit.

E atje ku ka jetë, shpresa vdes përherë e fundit…