Që shumë nga rrugët e lagjeve kryesore dhe periferike të Durrësit kanë problematika përsa i përket infrastrukturës rrugore këtë e dinë të gjithë banorët e qytetit bregdetar.

Megjithë investimet e realizuara nga bashkia në këto 3 mandate të kryebashkiakut Vangjush Dako, rrugët me gropa, baltë, pa vende parkimi, apo me trotuare shumë herë më të mëdha sesa janë nevojat reale të kalimtarëve ua kanë “nxirë jo pak jetën” durrsakëve.

Por edhe kur marrin inisiativën të punojnë për t’ia lehtësuar jetën komunitetit bëjnë punime shkel e shko.

Shembulli më i mirë për këtë janë fotot që kanë mbërritur në redaksinë e DurrësLajm. Gropat e krijuara përgjatë rrugës “Mustafa Varoshi” (rruga dytësore që lidh sheshin “Pranvera” me Pallatin e Kulturës) janë mbyllur sot nga punonjësit e ndërmarrjes Rruga, në varësi të bashkisë.

Pak beton i hedhur në gropat që përshkojnë të gjithë këtë rrugë është riparimi që i bën bashkia e Durrësit dhe kujdesi që tregon për komunitetin e kësaj zone, një nga lagjet më të vjetra dhe mu në zemër të qytetit.

Pas këtij riparimi shumë të shëmtuar edhe nga ana estetike, duket se nuk ka shumë vend pa koment.

Ndoshta pasi t’i shohin fotot, drejtuesit e bashkisë do të kujtohen të realizojnë një ndërhyrje serioze dhe cilësore në insfrastrukturën e kësaj rruge, jo një mbyllje gropash me një grusht beton.