Nga ministri i Mjedisit në rastin më të mirë, por edhe nga kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, pritej që të thuhej minimalisht një fjalë në takimin e zhvilluar për trajtimin e qindra tonë mbetjeve urbane të qyetit të Durrësit që gjenerojnë çdo ditë.

Durrësi është një minë me sahat, e cila ka shpërthyer me kohë, dhe qytetarët durrsakë së bashku me turistët e tyre po thithin dioksidin e karbonit që çlirojnë në ajër dhjetëra, në mos qindra tonë mbetje çdo ditë.

Është fusha e mbetjeve urbane në Porto-Romano  të Durrësit, vetëm 7 km nga zemra e qytetit të Durrësit, “bomba” ekologjike pasojat e së cilës qytetarët durrsakë po i ndjejnë me rritjen e të numrit të të prekurve me kancer.

Qytetarët e Durrësit prej vitesh janë dëshmitarë të kësaj situate, e cila nuk ka gjetur zgjidhje nga asnjë i zgjedhur vendor e ministër, të cilët para se të marrin votat dalin e flasin për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Deri tani ansjë prej tyre nuk ka dhënë asnjë zgjidhje, ndërsa të gjithë qytetarët bashkëjetojnë me këtë gangrenë mjedisore, e cila nuk ka pushim asnjë ditë.

Plehrat digjen në fushën e hapur prej 45 hektarësh në Porto- Romano, ndërsa qytetarët durrsakë vijojnë të flasin pa fund e të apelojnë se pa iu gjetur zgjidhje problemeve këtu, të mos importohen asnjë lloj mbetje urbane nga jashtë. Qytetarët janë kategorikë në deklaratat e tyre përsa i përket importit të plehrave, por zëri i qyterëve është i fundit që merret për bazë, përballë interesave madhore të një grupi apo të vetë qeverisë në këtë drejtim.

Kantieri i vendgumbullimit të plehrave shtrihet në një sipërfaqe prej të paktën 45 hektarësh, zonë në të cilën punojnë çdo ditë mbi 300 njerëz të cilët presin me padurim mbetjet urbane, për të bërë edhe ndarjen e tyre, duke përzgjedhur midis zallamahisë e tymit që del prej mbetjeve pa pushim, erës së rëndë, qelqin, kauçukun etj.

Çdo vit në këtë territor shkarkohen rreth 200 mijë tonë mbetje, duke sjellë nje impakt negativ në mjedis jo vetëm në zonën përrreth, por në të gjithë mushkëritë e qytetarëve të  Durrësit.

Pavarësisht se vendi është krejtësisht i paruajtur dhe jashtë çdo standarti mjedisor e shëndetësor në atë zonë ku bëhet dhe asgjësimi i tyre me anë të djegjes, tymi përhapet në një sipërfaqe shumë të madhe të qytetit, duke ngritur lart retë e dioksidit të karbonit.

Nga këto mbetje, 50 për qind e tyre sipas një studimi të kryer nga bashkia e Durrësit në vitet 2010, janë të riciklueshme, por që deri më tani fatkeqësisht punën e impiantit të selektimit dhe riciklimit të materialeve, në vend të njësive vendore po e kryejnë njerëzit e dëshpëruar të periferisë.

K.H.