Javën e fundit, është kthyer në një çështje mediatike mbërritja në Shqipëri e një çifti nga Kanadaja që kërkon të takojë vajzën e vet, që qëndron në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.

Babai i 38-vjeçares Somayeh Mohammadi pretendon se vajza e tij, që nuk e takon prej 21 vitesh, mbahet më forcë dhe kundër vullnetit të saj nga MEK.

Nga ana e saj 38-vjeçarja Somayeh Mohammadi, në një letër drejtuar redaksisë së DurrësLajm, sqaron se “me vullnetin dhe zgjedhjen time të lirë kam vendosur të bashkohem me MEK për të luftuar për demokraci dhe liri për Iranin”.

“Fatkeqësisht, në këtë fushatë gënjeshtrash, prindërit e mi janë bërë agjentë të Ministrisë së Inteligjencës së Iranit dhe pa asnjë dashuri familjare, ata ndjekin objektivat e këtij regjimi i cili nuk mendon për gjë tjetër, veçse si ta shkatërrojë MEK.

Ndërkohë, në mënyrë që të sqaroj opinionin publik, i kam shkruar një letër Ministrit të Brendshëm duke demaskuar gënjeshtrat e regjimit iranian të transmetuara nga prindërit e mi, se gjoja më kanë rrëmbyer. Për shkak të kërcënimit ndaj sigurisë sime dhe të miqve të mi, kam bërë gjithashtu një kallëzim kundër tyre në polici, i cili po shqyrtohet”, shkruan më tej 38-vjeçarja në letrën dërguar DurrësLajm.  

Në të njëjtën kohë, ajo sqaron se në datë 2 gusht është takuar me Namik Koplikun, ish-deputet dhe bashkë-president i Shoqatës së Miqësisë së popullit shqiptar me MEK, takim ky i zhvilluar në shtëpinë e saj. Ajo ka dhënë një intervistë në anglisht për zotin Kopliku, ku tregon të vërtetën e saj dhe hedh dritë mbi marrëdhënien me familjen e saj. Gjatë intervistës, ajo sqaron se qëndron me vullnetin e saj përkrah MEK, është e lirë të shkojë kudo dhe të bëjë çfarë dëshiron dhe se thëniet e babait të saj janë gënjeshtra.

Letra e plotë e Somayeh Mohammadi:

Këto javët e fundit, e keni dëgjuar me siguri lajmin se një çift iranian, me shtetësi kanadeze, kanë ardhur në Shqipëri duke pretenduar se vajza e tyre, domethënë unë, është rrëmbyer nga Muxhahedinët, MEK, në Shqipëri dhe se mbahem në kampin e Manzës me forcë. Kjo është një fushatë e shëmtuar e regjimit diktatorial iranian kundër MEK, e cila ka filluar që në vitin 2004 duke më keqpërdorur mua. Unë, me vullnetin dhe zgjedhjen time të lirë kam vendosur të bashkohem me MEK për të luftuar për demokraci dhe liri për Iranin. Tani që jam në Shqipëri, dhe kam qenë dëshmitare e lirisë së popullit, sidomos të grave, jam edhe më e vendosur që të luftoj kundër regjimit radikal dhe mizogjinist të mullahëve në Iran.

Fatkeqësisht, në këtë fushatë gënjeshtrash, prindërit e mi janë bërë agjentë të Ministrisë së Inteligjencës së Iranit dhe pa asnjë dashuri familjare, ata ndjekin objektivat e këtij regjimi i cili nuk mendon për gjë tjetër, veçse si ta shkatërrojë MEK.

Ndërkohë, në mënyrë që të sqaroj opinionin publik, i kam shkruar një letër Ministrit të Brendshëm duke demaskuar gënjeshtrat e regjimit iranian të transmetuara nga prindërit e mi, se gjoja më kanë rrëmbyer. Për shkak të kërcënimit ndaj sigurisë sime dhe të miqve të mi, kam bërë gjithashtu një kallëzim kundër tyre në polici, i cili po shqyrtohet.  

Më poshtë kam bashkangjitur linkun e një klipi të takimit tim me personalitete shqiptare dhe ju mund ta përdorni klipin si ta shihni të përshtatshme për ta sqaruar këtë çështje për publikun shqiptar. Në klip është takimi im me Z. Namik Kopliku, ish Anëtar Parlamenti dhe bashkë-president i Shoqatës së Miqësisë së popullit shqiptar me MEK. Ky takim është bërë të enjten, më 2 gusht në banesën time.

Me respekt,

Somayeh Mohammadi