Orari i ri i lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve sërish ka sjellë radhë njerëzish në shumë zona të qytetit të Durrësit. Ndonëse jo në numër shumë të madh, para furrave të bukës, marketeve dhe farmacive, sheh njerëz që qëndrojnë në radhë.

Prej disa ditësh para këtyre vendeve qëndrojnë punonjës të Policisë Bashkiake, Policisë së Rendit dhe Forcave të Armatosura, të cilët orientojnë njerëzit për të hyrë me radhë dhe mbajtur distancën e duhur nga njëri-tjetri.

Ashtu siç është bërë e ditur, pas orës 13.00 nuk do të lejohen më lëvizje të qytetarëve dhe automjeteve, përveç punonjësve të policisë, shëndetësisë, forcave të sigurisë dhe atyre që kryejnë furnizimin me medikamente dhe ushqime.

Burime nga spitali rajonal Durrës, bëjnë të ditur se aktualisht aty nuk ka më raste të reja të paraqitura me COVID 19, përveç rasteve të kaluara, të cilat po trajtohen në spitalin infektiv në Tiranë.