Përmes një postimi në Facebook, Bashkia Durrës ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për përfituesit e grantit për rikonstruksion DS1-DS2-DS3.
Bëhet me dije se ka nisur procesi i firmosjes së kontratave me Bashkinë e Durrësit.
“NJOFTIM I RËNDËSISHËM
Filloi procesi i firmosjes së kontratave me Bashkinë e Durrësit i të gjithë personave përfitues të grantit për rikonstruksion DS1-DS2-DS3.
Të gjithë këta persona do të kontaktohen me telefon nga administratorët e njësive administrative respektive për të firmosur kontratën përkatëse në zyrat e këtyre njësive.”, shkruhet në postim.
Lista me 6257 qytetarë që do të përfitojnë grantin e rindërtimit është miratuar më 26 qershor në një mbledhje të jashtëzakonshme nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik.
Në pikën nr.3 të nenit nr.3 të Kontratës nënvizohet se: Vlera/masa e grantit të rikonstruksionit/riparimit kalon në llogarinë bankare të përfituesit të grantit pranë një banke të nivelit të dytë ose në Postën Shqiptare (sipas rastit), brenda 10 ditëve, pas nënshkrimit të kontratës së grantit.
Masa e grantit varion në bazë të dëmit në banesë:
- DS1 – 100.000 lekë;
- DS2 – 250.000 lekë;
- DS3 – 500.000 lekë.
Pas përfundimit të afatit 7 ditor të ankimimit për qytetarët që nuk u përfshinë në listën e parë të dëmshpërblimeve, brenda kësaj jave do të mblidhet sërish Këshilli Bashkiak për të miratuar listën e dytë të qytetarëve përfitues të grantit të rindërtimit.
Burime nga bashkia bëjnë të ditur se pas plotësimit të dokumentacionit të munguar, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve që u përjashtuan herën e parë do të përfshihen te lista e dyte që do të kalojë brenda pak ditësh.