Pas dhënies së dorëheqjes nga posti që ka mbajtur prej 6 vitesh në drejtorinë e Tatimeve Durrës, administrata e këtij institucioni është në pritje të emërimit apo komandimit të drejtuesit të ri.

Ditën e shtunë, 10 maj, u shpall zyrtarisht kandidatura e Valbona Sakos si kandidate e PS-së për bashkinë e Durrësit, ndërsa pasditen e sotme ajo u prezantua zyrtarisht në asamblenë e PS-së Durrës.

Në drejtorinë e Tatimeve, stafi është në pritje të drejtuesit të ri të kësaj dege.

Burime nga ky institucion bëjnë të ditur për DurrësLajm se ende nuk ka një emër kandidati. Madje i druhen faktit se drejtori i institucionit mund të emërohet nga Tirana, ashtu siç ka ndodhur me disa drejtori rajonale në Durrës javën e kaluar.

Një javë më parë u emërua në krye të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Durrës, Liridon Pula dhe në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, dega Durrës Ardit Tabaku. Të dy drejtuesit janë nga Tirana.

Emërimet e dy drejtorëve nga Tirana brenda dy ditësh u shoqëruan me pakënaqësi mes strukturave dhe anëtarësisë së PS Durrës.

K.H.