Plazhi ka nisur, por një sërë kërkesash të reja të vendosura nga Ministria e Mjedisit, që kanë të bëjnë me krijimin e hartave të reja për çdo plazh, kanë bërë që bashkia ende të mos firmosë lejet e plazheve privatë për këtë sezon veror. Vonesa me lejet e plazheve privatë, çka do të thotë licencimi i tyre në bazë të kritereve të përcaktuara ka sjellë edhe një sërë problematikash të ngritura nga Policia Bashkiake e cila ka nisur monitorimin e plazheve. 

Vasip Çopa, kreu i Policisë Bashkiake tha se “gjatë monitorimit kemi konstatuar edhe mangësi në punën tonë. Zbatoni lejen për plazhet private, nuk do të tolerojmë asnjë nga këto problemtika. Është vënë re që nuk futet makina për të tërhequr plehrat në plazh, sepse privatët kanë bllokuar rrugët e makinave.  7 metra është distanca nga deti te çadrat. Të hapen rrugët mes plazheve dhe të hiqen gardhet, që kanë vendosur për të ndarë parcelat. Në plazh ambulantët shesin pa asnjë lloj kriteri dhe kontrolli. AKU ka edhe mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe të bashkisë, të veprojë sepse plazhi është kthyer në oriental, ku në çdo rrugicë po shiten pula të pjekura. Kemi ankesa të shumta nga qytetarët sepse po shiten rrugëve ushqime të pakontrolluara. Nuk dotë ketë tolerim në këtë drejtim”.

K.H.