Gjykata e Tiranës ka liruar ditën e sotme, 17 prill, nga qelia katër të arrestuarit për zjarrin që ra pak ditë më parë tek pallati 12 katësh pranë Farmacisë numër 10.
Ndaj të dyshuarve: inxhinieri, Enver Ademi, kontraktori i fasadës Altin Furtuna, administratori i pallatit Agron Cara, si dhe menaxherja e Big Market që ndodhej në katin e parë të pallatit, Razie Sula, është caktuar detyrim paraqitje.
Nën hetim janë vënë pronari i kompleksit të pallateve 48-vjeçari Armand Lilo dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit. Po ashtu nën hetim u vunë edhe dy punonjëse të marketit, shtetaset S. A. dhe E. M.
Zjarri që nisi në katin e parë të godinës në një market përfshiu të gjithë pallatin, për fat të mirë pa viktima, por duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Policia ka administruar pamjet e kamerave të sigurisë të disa bizneseve përreth, ndërsa dyshohet se shkak janë bërë disa të mitur. Në pamje shfaqen 5 fëmijë të mitur që qëndrojnë për disa minuta në pjesën e pasme të një marketi.
Dy prej tyre largohen duke mbajtur në duar një objekt të paqartë, që dyshohet të jetë një copë letër. Të miturit hedhin atë mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit dhe largohen nga vendngjarja.
Vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtin vend shfaqet tym, i cili shumë shpejt shndërrohet në flakë, duke u përhapur me shpejtësi në fasadën e pallatit dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.





