Të gjithë e vunë re mungesën e Saimir Tahirit sot në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores teksa prokurorët paraqisnin prova sekrete për ta gozhduar.

Por “BalkanWeb” mëson se me t'u kthyer në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka pasur pak punë. Ai ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryetarin e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, Gramoz Ruçin.

Sipas burimeve të besueshme, Tahiri është parë të hyjë në zyrën e Ruçit gjatë kohës së pauzës në komision, ndërsa arsyet e këtij takimi flash mund t’i merrni me mend.

Ata të dy mësohet të kenë biseduar vetëm disa minuta, e më Tahiri ka dalë nga zyra për të shkuar në mbledhje. Pas tij në mbledhje hyri edhe Ruçi.

Avokati i Tahirit me të marrë fjalën hodhi gurin, kërkoi tre ditë kohë me të drejtë sipas tij, që të përgatiste mbrojtjen.

Ruçi qëndroi stoik, nuk e pranoi kërkesën e avokatit, as të opozitës, por vendosi me kokën e tij, i dha vetëm 24 orë kohë Saimirit.

Vendim për të blerë kohë thotë opozita, që Tahiri të prishë provat që e fundosin./ BW