Që nga dita e diel, kur janë publikuar arrestimet dhe procedimet penale të fundit në shkallë vendi në 24 orë, Policia e Shtetit nuk ka publikuar asnjë raport ditor përsa i përket ditës së hënë dhe të martë të kësaj jave.

Ndërsa përsa i përket ditës së mërkurë, vetëm pak minuta më parë, ekzaktësisht në orën 21.44 minuta, Policia e Shtetit publikoi raportin ditor mjaft të cunguar, ku përveç një operacioni policor të zhvilluar në kryeqytet, ku janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas për veprën penale "Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike e kryer në bashkëpunim" dhe një informacioni të shkurtër për parandalimin e përshkallëzimit të një konflikti në Lezhë, ku është arrestuar një person dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, të gjitha arrestimet dhe procedimet e tjera jepen në mënyrë të përmbledhur dhe pa saktësuar se në cilin komisariat të vendit kanë ndodhur këto ngjarje.

Madje edhe në rastet e arrestimeve në Tiranë dhe Lezhë, policia nuk jep identitetin e të arrestuarve, qoftë edhe me iniciale.

“Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithe vendin janë proceduar penalisht 51 shtetas, nder ta: 38 ndiqen në gjendje të lirë, 8 janë te arrestuar, 5 janë te ndaluar”,- njofton Policia e Shtetit në komunikatën e saj duke bërë një rezyme të të proceduarve, por pa dhënë asnjë informacion se për çfarë veprash penale akuzohen këta persona.

Se kujt i shërben gjithë ky mister në publikimin e raportit ditor të punës së Policisë së Shtetit dhe komisariateve në të gjithë vendin, për këtë duhet të japin përgjigje drejtuesit më të lartë të policisë.

Mbrëmjen e së dielës, u kap një sasi heroine prej 4 kg në portin e Durrësit dhe u arrestua një person, ndërkohë që policia e qytetit bregdetar, si asnjëherë më parë nuk dha asnjë informacion zyrtar, as atë ditë dhe as ditën e hënë. Po ashtu policia nuk dha asnjë informacion zyrtar për grabitjen e një argjendarie në një qendër tregtare në Tiranë në datën 2 janar 2019.

Në ditët e para të vitit, raportet ditore të Policisë së Shtetit publikoheshin në orët e vona, ose një ditë më pas, por ndërsa në atë periudhë kjo mund të justifikohej disi me periudhën e festave, kjo mungesë informacioni në 3 ditët e para të kësaj jave është totalisht e pajustifikuar.

Shpeshherë Policia e Shtetit është akuzuar për fshehje të ngjarjeve të ndryshme, e nëse kjo mungesë transparence do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme atëherë gjithkush mund të mendojë se policia ka shumë gjëra për të fshehur. 

M.B.