Kompania hapësinore “SpaceX” e themeluar nga Elon Musk ka zbuluar planet për daljen në bursën amerikane, duke u dhënë investitorëve mundësinë të tregtojnë aksionet e saj për herë të parë.

Oferta publike fillestare (IPO) pritet të jetë më e madhja në historinë e “Wall Street” dhe mund të nisë që muajin e ardhshëm nën simbolin SPCX.

Dalja në treg vlerëson “SpaceX” në rreth 1,25 trilionë dollarë.

Duke qenë se Musk zotëron shumicën e aksioneve të kompanisë, pjesa e tij mund të kapërcejë vlerën e 600 miliardë dollarëve. Kjo do ta çonte pasurinë e tij totale mbi një trilion dollarë, duke e bërë potencialisht personin e parë në botë që arrin këtë nivel pasurie.

Dokumentet e depozituara pranë autoriteteve amerikane hedhin dritë edhe mbi gjendjen financiare të kompanisë.

Gjatë vitit të kaluar, “SpaceX” realizoi të ardhura prej 18,6 miliardë dollarësh, por regjistroi një humbje neto prej 4,9 miliardë dollarësh. Në tre muajt e parë të këtij viti, kompania arkëtoi 4,7 miliardë dollarë nga shitjet, ndërsa humbja neto arriti në 4,3 miliardë dollarë.

Bilanci financiar tregon se “SpaceX” zotëron asete me vlerë 102 miliardë dollarë, përfshirë raketat dhe infrastrukturën e saj, por mban gjithashtu borxhe prej 60,5 miliardë dollarësh.

Në dokumentacion përmenden edhe më shumë se 500 milionë dollarë kosto të pritshme ligjore.

Disa procese gjyqësore lidhen me chatbot-in Grok të kompanisë, i cili akuzohet se është përdorur për krijimin e imazheve të manipuluara seksualisht të grave dhe vajzave reale.

Çështje të tjera përfshijnë pretendime për shkelje patentash, të drejtash autori muzikore, mbrojtje të të dhënave dhe mosrespektim të rregullave evropiane për moderimin e përmbajtjes.

Një tjetër detaj i rëndësishëm është marrëveshja e re mes “SpaceX” dhe kompanisë së inteligjencës artificiale.

Sipas saj, Anthropic do të paguajë 15 miliardë dollarë në vit për të përdorur qendrat e të dhënave të lidhura me aktivitetet e inteligjencës artificiale të Muskut.

Ky bashkëpunim vjen në një kohë kur rivaliteti në sektorin e IA-së po intensifikohet.