Segmenti rrugor Univeristet-Currila është bllokuar ditën e sotme pas shkarjes së dherave nga lartësia e kodrës në drejtim të rrugës.

Rreshjet e shiut dhe shkrirja e borës që ra, provokoi rënien masive të dherave në drejtim të rrugës gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, duke bërë që qarkullimi i mjeteve të devijojë vetëm në një korsi.

Banorët e zonës kanë shprehur gjithmonë ankesat në drejtim të kësaj problematike që vihet re dhe vjen në vend kryesisht në stinën e rreshjeve të dimrit gjatë viteve të fundit. 

Në zonë ka mbërritur edhe nënkryetari i bashkisë, Arbër Braho i cili tha se bashkia ka vënë në dispozicion të pastrimit të rrugës mjetet dhe punëtorët e saj për ta bërë të kalueshme në kohë të shpejtë për makinat.

Kodër Vila prej disa vitesh vuan pasojat e erozionit pasi përbërja e saj argjilore ka sjellë shkarje dherash. Rehabilitimi i saj përfundimtar kërkon miliona euro dhe bashkia e Durrësit ka bërë me dije zyrtarisht se nuk mund të investojë në rehabilitim por vetëm në mirëmbajtje.

K.H.