E gjithë vija bregdetare në Durrës është gati për të pritur pushuesit nga vendi dhe nga trevat jashtë kufijve.

Qëndrueshmëria e motit dhe ngrohja e temperaturave ka bërë që Ndërrmarrja e Shërbimit Komunal në plazhin e Durrësit të dezinfektojë të gjithë sipërfaqen e bregdetit, pas plugimit të rërës.

Dezinfektimi është bërë në orët e para të mëngjesit, pa lindur dielli, nga punonjësit e Ndërmarrjes dhe nga një makineri e posaçme e Shërbimit Komunal. Ky ishte edhe procesi i fundit i cili kryhet në zonën turistike e cila është gati për të pritur të githë pushuesit.

Fundjava e nxehtë e sapo mbyllur solli në bregdet qindra pushues nga Tirana dhe Kosova. Prania e insekteve, kryesisht e mushkonjave që dalin në orarin e pasdites kanë qenë një problem për të gjithë ata që i drejtohen detit për të shëtitur pasdite.

Dezinfektimi është pritur si një masë urgjente nga turistë, banorë e subjekte biznesesh që operojnë në plazhin e Durrësit. Do të ishte mirë që edhe vetë subjektet e biznesit të kryejnë dezinfektim në sipërfaqet private për të shmangur mushkonjat që zakonisht shfaqen me rritjen e temperaturave.

K.H.