Rritet numri i rasteve të reja me COVID-19 në vendin tonë. Në 24 orët e fundit janë testuar 35 persona të dyshuar, prej të cilëve 6 kanë rezultuar të infektuar me koronavirusin e ri. Në total numri i të prekurve në vendin tonë ka shkuar në 70.

Zv/ministrja Mira Rakacolli, në përditësimin e përditshëm të të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, tha se 5 raste janë në Tiranë dhe 1 rast nga Fieri.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 35 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19:
– 5 raste nga Tirana (2 raste kontakti dhe tre raste të reja)
– dhe një 82-vjeçare nga Fieri.

Deri në këto momente testuar 732 janë raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 70 raste:
• Tiranë   50 qytetarë
• Durrës     5 qytetarë
• Lushnje   2 qytetarë
• Elbasan   2 qytetarë
• Fier         7 qytetarë
• Rrogozhinë   2 qytetarë
• Kavajë   2 qytetar

Janë shënuar deri tani dy raste humbje jete.

Ju informojmë se në spitalin Infektiv ndodhen 35 pacientë të shtruar.

3 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19.

Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor.

Edhe një herë një lutje për qytetarët: Mos shkoni menjëherë në spital!

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë.

Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencavem duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!

Edhe një herë përsërisim apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe të afërmit e tyre që të mos preken nga COVID-19 dhe të ndihmojnë stafet mjekësor për të përballuar këtë situatë.”

Kujtojmë që deri më tani në vendin tonë, nga përhapja e pandemisë së koroanvirusit kanë humbur jetën dy persona, një grua 73-vjeçare nga Durrësi dhe një 66-vjeçar nga Lushnja, i shtruar pranë Infektivit.