Pas shpërthimit me lëndë plasëse në zyrën elektorale të LSI-së në lagjen nr.18 në Durrës, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Lefter Kokës.

Kryesuesi i listës në këtë qark, dha një deklaratë për gazetarët para zyrës ku ndodhi shpërthimi, duke dënuar me tone të ashpra këtë vepër kriminale. Koka tha se këto nuk janë veprimet e durrsakëve, por të zagarëve të Rilindjes.

“Durrësi është shquar dhe unë gëzoj respektin maksimal për bashkëqytetarët e mi. Këto veprime nuk janë as nga durrsakë, as nga qytetarë të Durrësit, por janë zagarë të Rilindjes”, u shpreh Lefter Koka.

Sipas Kokës, kjo ngjarje vjen pas thirrjes së Ramës për efektivët e policisë, që pas punës të vijojnë aktivitetin tjetër të shpërthimeve të zyrave të kundërshtarëve politikë.