Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel që do të mbahet më 10 dhjetor në Stokholm.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm në detyrë,  Gent Cakaj i cili në një postim në Twitter shkruan:

“Kemi udhëzuar ambasadorin e Shqipëisë në Suedi që të bojkotojë ceremoninë. Arsyetimi i mizorive të luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nuk duhet të shpërblehet.”

Shkaku i mospjesëmarrjes së Shqipërisë është dhënia e Çmimit Nobel për Letërsi shkrimtarit austriak Peter Hanke, një mbështetës i ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.