Ajo që mendohej se do të ishte një mbledhje e shkurtër dhe do të kalonte pa zhurmë, pasi të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan me konsensusin e të gjithë këshilltarëve, përfundoi me një mbyllje demonstrative.

Por çfarë e shkaktoi tensionimin mes kryebashkiakes Valbona Sako, kreut të Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj dhe kryetarit të Këshillit, Ani Dyrmishi?

Pika 4 e rendit të ditës u bë “molla e sherrit” që prishi mbledhjen. Pika konsistonte në “miratimin e përdorimit të fondit prej 117,736,220 lekë të kursyera nga procedurat e prokurimit për vitin 2019”.  Nga kjo shumë, bashkia ka planifikuar që 50 milionë lekë të përdoren për rikonstruksionin e godinës së pushtetit vendor.

Në fjalën e mbajtur në mbledhje, kryetarja e Komisionit të Buxhetit dhe Financave, Pamela Bardhaj, deklaroi se pas shqyrtimit në mbledhjen e komisionit, anëtarët ishin të mendimit që kalimi i shumës 50 milionë lekë për rikonstruksionin e bashkisë dhe mobilimin e saj të diskutohej në një mbledhje tjetër të KB-së (qoftë edhe jashtë rradhe), pasi bashkia nuk kishte paraqitur asnjë preventiv, sesi do të shpenzohej kjo shumë.

Menjëherë pas fjalës së Bardhajt, fjalën e mori kreu i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj, i cili, në cilësinë e këshilltarit me numrin më të lartë të prezencave në KB, deklaroi se:

“Duke marrë shkas nga mbledhja e Këshillit të kaluar, ku u insistua nga kryetarja e bashkisë që këtu të kalonin disa pika të rendit të ditës, me thënë të drejtën unë isha dakort për rikonstruksionin e kopshteve dhe çerdheve dhe u mërzita me grupin e këshilltarëve, sepse duhet të kalonin këto pika. Por kur pashë relacionin, aty nuk kishte lidhje fare as me kopshte dhe as me çerdhe. Ky është një keqinformim që nuk është normal, pasi ne humbasim besueshmërinë me njeri-tjetrin dhe e dyta është se kemi një mision. Misioni jonë është t’u shërbejmë qytetarëve”,-tha Mullaraj.

Më tej, kreu i Këshillit të Qarkut nënvizoi se akordimi i shumës 50 milionë lekë për rikonstruksionin dhe mobilimin e bashkisë në një kohë kur institucioni i pushtetit vendor është rikonstruktuar pak vite më parë, mund të shtyhet për vitin e ardhshëm, pasi në Durrës ka emergjenca më të mëdha, kjo edhe për shkak të dëmeve që la pas tërmeti i 21 shtatorit.

Pas Mullarajt, fjalën e mori kryebashkiakja Sako që i tërhoqi vëmendjen atij, pasi sipas saj, kreu i Këshillit të Qarkut nuk kishte kontribuuar aspak për situatën e vështirë të krijuar pas tërmetit të 21 shtatorit dhe nuk kishte dijeni për asnjë nga shifrat e dëmeve të shkaktuara. Njëkohesisht Sako i tërhoqi vëmendjen këshilltarëve pasi ishin paraqitur me vonesë në mbledhje.

Ndërsa Sako ftoi drejtoreshat e Shërbimeve dhe të Buxhetit, që të jepnin shpjegime para këshilltarëve lidhur me projektin për rikonstruksionin e bashkisë, kreu i Këshillit, Ani Dyrmishi, i kujtoi kryebashkiakes që kjo pikë do të diskutohej në mbledhjen e ardhshme. Sako insistoi duke i kërkuar kryetarit të Këshillit që sekretarja e re Dorina Milja të prezantonte veten. Në këtë moment Dyrmishi deklaroi të mbyllur mbledhjen dhe u ngrit dhe doli nga salla. Veprimi i tij u pasua edhe nga këshilltarët e tjerë, ndërkohë që kryetarja Sako vazhdonte fliste.

M.B.