Prurjet masive të lumenjëve gjatë përmbytjeve po shkaktojnë ndotje masive të bregdetit adriatik, në një zonë mjaft të gjerë. Sasira të mëdha mbeturinash janë shpërndarë përgjatë bregdetit të Durrësit, kryesisht në veri të qytetit, nga plazhi i Currilave deri në Kepin e Rodonit.

Situata në fjalë ka alarmuar edhe vendet fqinje, pasi një pjesë e kësaj ndotje është zhvendosur drejt bregdetit të Malit të Zi e Kroacisë. Prurjet e jashtëzakonshme të lumit Ishëm dhe Erzen, kanë rinxjerrë edhe një herë në pah problematikën e madhe të mbetjeve urbane, që në raste përmbytjesh shoqërohen me ndotje masive të bregdetit.

Në bregdetin e Durrësit për shkak të ndryshimit të erës, ka dalë një sasi e madhe e mbetjeve që kanë sjellë këta lumenj nga përmbytjet, ndërkohë institucionet vendore po vlerësojnë situatën alarmante. Nuk dihet nëse do të ketë ndonjë ndërhyrje për pastrimin e bregdetit, ndërkohë nuk ka struktura të specializuara për menaxhimin e situatave të tilla.

Kjo ndotje mund të cilësohet si alarm mjedisor pasi në bregdet kanë dalë edhe shumë mbetje spitalore. Një rrezik të madh tashmë ka edhe për faunën detare pasi gjallesat detare janë të rrezikuara.

K.H.