Nga Mila BALLHYSA

Çdo turisti të huaj, sapo zbret nga jahti, pamja e parë që i shohin sytë janë vinçat e ngarkim-shkarkimit apo qindra konteinerë. Turistët duhet të përshkojnë një distancë rreth 300 metra derisa të mbërrijnë tek dalja më e afërt portuale. Dikujt mund t’i duket një distancë e shkurtër, por ndonjëherë edhe 300 metra mund të bëjnë diferencën për ta vizituar sërish në të ardhmen Durrësin 3000-vjeçar. Qyteti me vijën më të gjatë bregdetare në Shqipëri dhe me disa nga sitet arkeologjike më të vjetra dhe më të vizitueshme nga të huajt e ndjen mungesën e portit turistik, që do të zhvillonte edhe më shumë turizmin elitar.

Mungesa e portit të jahteve ka detyruar autoritetet që kalatën nr.4 ta vënë në dispozicion të ankorimit të jahteve me vela e mega jahteve. Të paktën këtë vit kalata është vetëm për jahtet, sepse vitet e kaluara, një jaht mund të ankorohej pranë një anije tregtare që kryente procesin e ngarkim-shkarkimit në port! Në ndryshim nga vendi fqinjë, Mali i zi, që e ka mjaft të zhvilluar industrinë e turizmit dhe ka dhjetëra porte apostafat për jahtet, në Shqipëri vetëm porti i Orikumit në Vlorë është i çertifikuar dhe plotëson kriteret e një porti turistik.

Lehtësirat e krijuara dhe problematikat e ankorimit në kalatën portuale

Prej një muaji, në kalatën nr.4 mund të ankorohen njëkohësisht 15 jahte turistike, ndërkohë që është rregulluar furnizimi i tyre me energji elektrike dhe ujë direkt në kalatë. Kapiteni i portit të Durrësit, Taulant Allka, shpjegon se tashmë jahtet ankorohen në kiç dhe kanë furnizim 24 orë me ujë dhe energji elektrike. “Vetëm dy javët e fundit, falë ndryshimeve që u bënë në bashkëpunim me Drejtorinë Teknike të APD-së, është rritur me 20% numri i jahteve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”,- bën të ditur Allka. Javët e fundit, imazhi i portit të Durrësit ka nisur të përmirësohet, sepse më parë turistët nuk e rekomandonin nëpër rrjete sociale për shkak të mungesës së shërbimeve.

Furnizimi me ujë dhe energji direkt në kalatë

“Tani jahtet rrinë një, dy apo dhe tre ditë në port. Më parë qëndronin vetëm 7 orë sa për të pushuar dhe largoheshin menjëherë”,-thotë kapiteni Allka.

Gjithsesi, rregullimet e bëra nuk i kanë dhënë fund të gjitha problematikave. Kalata mbetet shumë e lartë dhe sipas Allkës, vitin tjetër do të punohet për vendosjen e bankinave galexhante, për të lehtësuar lëvizjen e turistëve.

Nga ana tjetër, furnizimi i jahteve me naftë bëhet përmes boteve dhe jo direkt me pistoletë siç është në shumicën e porteve turistike. I gjithë procesi monitorohet nga një makinë zjarrfikëse. Nëse furnizimi përfundon brenda orës, tarifa që paguhet është 150 euro, ndërsa për 2 orë tarifa dyfishohet. Pra, nëse një jaht furnizohet me vetëm pak litra, atij i shkon shtrenjtë fatura vetëm prej pranisë së mjetit zjarrfikës. Kjo tarifë është e leverdisshme për mega jahtet, që vijnë në Durrës vetëm për t’u furnizuar me naftë, sepse për mjetet turistike vendi ynë ofron tarifën më të lirë të karburantit në rajon.

Problematikë tjetër është se skafet me flamur shqiptar nuk mund ta lënë kalatën pa njoftuar 24 orë më parë Policinë Kufitare për lëvizjen. Kapiteni Taulant Allka thotë se institucioni i drejtuar prej tij e ka hequr këtë kriter, por Policia Kufitare vazhdon ta zbatojë. “Pronarëve shqiptarë të skafeve apo jahteve, muajt e verës u shndërrohen në ankth. E para sepse nuk kanë ku ta lënë mjetin lundrues, e dyta, rregullat që zbaton Policia Kufitare janë më të rrepta edhe sesa në kohën kur ishte në fuqi moratoriumi i skafeve. Kush ka një skaf në vendin tonë, për mua ka një siklet të madh”,- thotë Allka.

Në vendin tonë ka 2500 mjete turistike (gomone, skafe dhe jahte) me flamur shqiptar, ndërsa rreth 500 janë motorë uji.

Për ekspertin e fushës së detarisë, Artjan Qirici, vendi ynë është shumë prapa përsa i përket investimeve për ndërtimin e porteve turistike. “Është fatkeqësi e madhe që ne këtu në Durrës të mos kemi një marinë (bankinat ku ankorohen jahtet) dhe një kantier detar për riparimin apo mirëmbajtjen e mjeteve lundruese. Nuk është zgjidhje kalata nr.4, ajo është një zgjidhje vetëm nga halli”,- thotë ai.

Sipas Qiricit, “të zotërosh një jaht në vendin tonë është luks, por edhe një peripeci më vete. Në vendet me traditë të zhvilluar në fushën e jahteve ekziston një fjalë e urtë: Kur ke një jaht gëzohesh dy herë; ditën që e blen dhe ditën që e shet. Imagjinoni tani situatën në Shqipëri!”

Makthi i ankorimit të një jahti në Durrës

Tashmë që kalata nr.4 e portit është lënë në dispozicion të jahteve aty ankorohen të gjitha mjetet turistike që mbërrijnë në portin më të madh në vend. Ndërkohë, rreth 20 jahte, në pronësi të milionerëve shqiptarë qëndrojnë të ankoruar në kalatën nr.10 dhe i paguajnë Autoritetit Portual Durrës një kuotë vjetore për qëndrimin aty. Disa jahte të tjera qëndrojnë të ankoruar në portin e ri të peshkimit, megjithëse ky port nuk plotëson kapacitetet për sistemimin aty të flotës së peshkimit. 3 vite më parë, para se porti të merrej në dorëzim nga Shoqata e Peshkimit, u vendos që jahtet të qëndronin aty përsa kohë do të caktohej një vend tjetër akomodimi. Megjithëse nuk ofron thuajse asnjë shërbim për jahtet dhe skafet, një pjesë e vogël e tyre qëndrojnë të ankoruar në Portin e Gjermanit, në Kallm. Nëse në Durrës do të ishte ndërtuar porti turistik, pronarët e skafeve e jahteve do të kishin më pak “dhimbje koke”!

Odiseja e ndërtimit të portit turistik në Durrës

Tentativa e parë për ndërtimin e portit të jahteve nisi në vitin 1994, me atë që të gjithë durrsakët e njohin si Porti i Gjermanit. Investimi nisi nga një biznesmen gjerman, por projekti mbeti përgjysëm. Aty ka ngelur vetëm një mol pa asnjë lloj kushti, pranë të cilit ankorohen varkat e disa peshkatarëve, ndonjë motor uji, por edhe ndonjë skaf i vogël.

Në qershor 2009 është zhvilluar tenderi për portin e jahteve në Gjirin e Lalzit, pranë Kepit të Rodonit, të cilin e fitoi shoqëria “Ener-Alb Projects” , me vlerë investimi prej 9.6 milion euro. Projekti nuk nisi asnjëherë.

Në vitin 2011, kur kryebashkiaku Vangjush Dako kandidonte për mandatin e dytë, prezantoi projektin ambicioz “Vija e kaltër”, që shtrihej nga Shëtitorja “Taulantia” deri në Kallm. Parashikohej edhe ndërtimi i një porti turistik në këtë zonë. Projekti dështoi për mungesë fondesh.

Një tjetër port jahtesh është dhënë me koncension në vitin 2013 pranë Urës së Dajlanit në Durrës dhe subjekti i cili ka fituar tenderin për koncesionin të tipit “BOT” është “Adriatic Yachting Marina”.

Në vitin 2015, ministrii Transporteve, Edmond Haxhinasto, firmosi marrëveshjen koncesionare me kompaninë “Albania Bay Marina”, me vlerë 15 milionë dollarë, që parashikonte ndërtimin e portit të jahteve në shëtitoren “Taulantia”, pranë portit të peshkimit. Punimet do të fillonin në vitin 2016, por nuk nisën asnjëherë.

Koncesioni i dhënë në vitin 2015

“Është një projekt në shëtitoren “Taulantia”, në krah të portit të peshkimit. Mendoj se shumë shpejt qeveria do ta vërë atë në jetë për të realizuar në Durrës portin e jahteve”,-thotë prefekti i Durrësit, Roland Nasto. Projekti në fjalë për të cilin flet prefekti Nasto është ai i kompanisë “Albania Bay Marina”, e cila firmosi marrëveshjen koncesionare në shtator 2015 me ministrin e Transporteve të asaj kohe, Edmond Haxhinasto. Projekti 15 milionë dollarë parashikon përveç ndërtimit të një porti modern jahtesh, edhe dy hotele me 5 yje, zonë rezidenciale, qendër tregtare, oficinë riparimi për mjetet lundruese etj. Investimi duhet të niste në vitin 2016 në shëtitoren “Taulantia” dhe koncesioni është i tipit “BOT” (ndërtim, përdorim dhe më pas kalim në pronësi të shtetit). Deri më tani, projekti ka mbetur në sirtar.

Projekti i koncesionit të firmosur në vitin 2015

Për Qiricin, këto projekte miliona euro nuk mund ta zgjidhin aspak problemin. “Është lakmia për të bërë gjëra të mëdha, por më pas e kuptojnë që nuk mund t’i bëjnë dot. Unë i mëshoj fort diçkaje. Duhet të mbështeten fort bizneset, qoftë edhe të vogla, por me eksperiencë në këtë fushë. Nuk na duhen projekte të mëdha, por disa bankina betoni rreth 50m përgjatë vijës bregdetare të Durrësit ku të ankorohen jahtet dhe t’u ofrohen atyre shërbimet e nevojshme. Këto janë projekte që realizohen me 20-30 mijë euro dhe nëse do të realizoheshin do të jepnin shumë efekt”,- thotë specialisti i detarisë.

Që një biznes të marrë disa metra det në përdorim në vendin tonë duhen shumë shkresa, shumë para, shumë burokraci. Nëse praktikat do të lehtësoheshin dhe legjislacioni do të ndryshonte, situata në terren do të ishte shumë më ndryshe. Dhënia e lejeve për portet turistike është kompetencë e ekzekutivit, por sipas specialistëve të detarisë, nëse kompetenca për ngritjen e bankinave të vogla me shpenzime disa mijëra euro do t’i kalonte pushtetit lokal, Durrësi nuk do të kishte mbetur 25 vite pa port turistik, që nga tentativa e parë për ngritjen e tij në vitin 1994.

Rritet numri i jahteve që vizitojnë Durrësin

Vetëm përgjatë muajit qershor, portin e Durrësit e kanë përfshirë në guidat e tyre 107 jahte turistike nga vende të ndryshme të botës. Ndërkohë, nga janari deri në 20 korrik, në port kanë mbërritur 149 jahte. Gjatë vitit 2018, në portin e Durrësit kanë mbërritur 380 jahte dhe nëvitin 2017, 294 të tillë. Megjithëse janë shifra në rritje, duken ende shumë pak krahasuar me portin e Sarandës, ku vetëm gjatë vitit 2018 janë ankoruar 1200 jahte, megjithëse kalata e portit atje është dy herë më e vogël sesa kalata nr.4 në Durrës. Në kohën kur ishte drejtor i APD-së, Artjan Qirici ka propozuar ngritjen e një mbikalimi që do t’i dërgonte turistët nga kalata portuale tek Torra Veneciane dhe muret antike të qytetit. Nëse kjo do të ishte realizuar, turistët do të viheshin menjëherë në kontakt me disa nga asetet më të rëndësishme të turizmit kulturor në Durrës, e nuk do të “shijonin” panoramën e vinçave e kontenierëve.

“I bëj thirrje ministrit Blendi Klosi, që me investime shtetërore, të huaja apo në bashkëpunim me biznesin vendas të mendojë seriozisht dhe t’i japë zgjidhje urgjente dhe pa humbur kohë për të ndërtuar portin turistik në Durrës”,-thotë Qirici. Ndërtimi i këtij porti nuk është një luks, por një domosdoshmëri për qytetin bregdetar, për të mos humbur tashmë qindra jahte që kanë nisur të qëndrojnë në Durrës.

Video: