Zona e Shkëmbit të Kavajës në Durrës dhe një pjesë e zonës së plazhit furnizohen me ujë të pijshëm nga liqeni i Manskurisë. Por thatësira e madhe e kësaj vere ka bërë që burimet ujore të rezervuarit të thahen e për pasojë zona bregdetare që merr ujin nga ky rezervuar të mbetet pa ujë të pijshëm.  

Edhe burimi tjetër i funizmit me ujë të Durrësit, Fushë-Kuqja ka të njëjtat probleme. Por jo të gjitha zonat e jo të gjithë banorët janë të prekur nga kjo problematikë, sepse depozitat e mëdha të tyre i kanë lejuar që të kenë patur ujë të rrjedhshëm. Por problematika është e madhe në restorante dhe hotele, ku uji shpenzohet më tepër.

Në zona të veçanta të bregdetit uji ka munguar për ditë me radhë, ose furnizimi ka qenë shumë i dobët, duke vënë në vështirësi shumë të madhe kryesisht bizneset, hotelet dhe restorantet. Pronarët e njësive të shërbimit dhe të restoranteve deklarojnë se kanë blerë autobote me ujë të pijshëm duke rritur koston e shpenzimeve të tyre. Pronari i një restoranti në zonën e Shkëmbit të Kavajës, biznesin e ka zhvendosur nga Mali i Zi dhe Kroacia, në plazhin e Shkëmbit të Kavajës. Këtë verë, thotë ai, plazhi nuk është furnizuar rregullisht me  ujë dhe kjo ka ka bërë që bregdeti të boshatiset nga turistët, sapo u vu re mungesa e ujit të pijshëm në rubineta.

Ai thotë se si taksapagues i rregullt duhet të gjendet një zgjidhje e të bëhet furnizmi me ujë të rrjedhshëm, për të mos u penalizuar biznesi në pikun e sezonit veror. Sipas operatorëve të biznesit, autoritetet duhet të kishin marrë masa më herët për të gjetur zgjidhje konkrete pa u penalizuar askush dhe pa ikur asnjë pushues nga plazhi për shkak të ujit të pijshëm.

K.H.