Ashtu siç është bërë e ditur më herët, një pjesë e punonjësve të Njësisë Vendore e Kujdesit Shëndetësor Durrës, personeli i laboratorit të tamponëve u prekën nga Covid-19.

Ndonëse ka kaluar mjaftueshëm kohë për t’iu rikthyer normalitetit të çuditshëm me të cilin bashkëjetojmë prej në muajin mars, duket se në këtë institucion punonjësit ende nuk janë paraqitur në punë.

Një punonjës që kërkon të mos identifikohet shkruan në redaksinë e “DurrësLajm” se aktualisht janë vetëm 3-4 persona që përballojnë fluksin e tamponëve për Durrësin pasi disa punonjës pretendojnë se janë ende sëmurë e disa të tjerë nuk janë rikthyer akoma nga leja pasi ndodhi infektimi.

“Para 1 muaji siç është bërë e ditur u infektuan nga koronavirusi mbi 10 veta personel në laboratorin e tamponëve. Tani pas 1 muaji u shëruan të gjithë, punonjëset kanë filluar lojërat dhe filmat me pretendimet se njëra është akoma sëmure, njëra s’ka fuqi të punojë, disa kanë marrë lejen sapo ndodhi infektimi dhe s’kanë ardh akoma në punë. Ne kemi mbetur 3-4 veta që duhet të përballojmë gjithë fluksin e tamponëve të Durrësit.”

Në denoncim, denoncuesi përmend edhe shefen e epidemiologjisë, Mide Okshtunin për të cilën shkruan se:

“Përgjegjësja e zyrës së epidemiologjisë, Mide Okshtuni nuk do tja dijë fare për fluksin e punës apo për lodhjen tonë.”

Punonjësi risjell në vëmendje shpërblimin e premtuar nga kryeministri Edi Rama, për të cilin e kanë ngritur zërin edhe më parë; laborantët marrin vetëm 250 mijë lekë në muaj ndërsa administrata nga 1 mijë euro.

“Laborantët kanë marrë çdo muaj vetëm nga 250 mijë lekë shpërblim duke rrezikuar dhe jetën se shumica u infektuan. Ndërsa shefja dhe administrata ka 3 muaj që marrin nga 1000 euro shpërblim pa lëvizur asnjë minutë nga zyrat.”

Duket se punonjësit e NJKVSH Durrës nuk janë të pajisur as me materialet bazë në mbrojten ndaj koronavirusit, ndonëse edhe vetë ata u prekën nga Covid-19 gjatë punës në terren.

“Dua të mbetem anomin por publikojeni t’a marrin vesh të gjithë se në çfarë kushtesh punojmë. Maska, doreza dhe alkol me pikatore. Ndërkohë që ministrja thotë kemi dyfishuar numrin e epidemiologëve në terren. Në terren në Durrës dalin vetëm laborantët kurse shpërblimin e marrin zyrtarët që ngrohin karriket e zyrës.”, përfundon denoncimi.