Zbardhet drafti i propozimeve për të ndryshuar Kodin Penal duke ashpërsuar dënimet për ata që thyejnë urdhrat gjatë gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë nga koronavirusi.

Sipas propozimeve të dorëzuara në Komisionin e Ligjeve nga deputetja Edlira Bode, kush nuk u bindet rregullave dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Nëse shkelja përsëritet, shkon nga 1 muaj deri në 1 vit burg, por nëse kjo rrezikon jetën ose shkakton vdekjen e një personi tjetër, dënimi bëhet nga 1 deri në 5 vjet.

Kush shkel rregullat e karantinimit dënohet jo vetëm me 700 mijë lekë gjobë, por me burg deri në 10 vjet nëse i transmeton virusin dikujt tjetër. Nëse nga kjo shkelje, shkohet vdekja e një personi dënimi arrin deri në 15 vjet.

PROPOZIMI I PLOTË

KOMISIONIT PËR CËSHTJET LIGJORE, ADMINISTRATËN PUBLIKE DHE TË DREJTAT E NJERIUT                   

Në vëmendje të:

 Kryetarit,Z. Ulsi Manja

Deputetëve, Anëtarë të Komisionit

Objekti:           Propozime për amendamente në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e deputeteve Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka

I nderuar Z.Manja,

Të nderuar KolegëDeputetë,

Bazuar në nenin 71, pika 1të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë paraqes amendamente për disa shtesa në projektligjin  “Për një ndryshim në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, nismë e deputeteve Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka: 

Titulli i projektligjit ndryshohet me përmbajtjen si vijon:

 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.                                                                                    

Pas Nenit 1 të projektligjit, shtohet Neni 2me përmbajtjen si vijon:

Neni 2 

Pas nenit 242, shtohen nenet 242/1 dhe 242/2 me këtë përmbajtje:  

“Neni 242/1

Mosbindja ndaj masave të organeve kompetente shtetërore gjatëgjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore                              Mosbindja ndaj rregullave, vendimeve dhe urdhrave të nxjerra nga organet kompetente shtetërore për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Po kjo vepër, e kryer në mënyrë të përsëritur dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në një vit.

Kur nga vepra është shkaktuar rrezikimi i jetës ose vdekja e personit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.”.

 “Neni 242/2

Shkelja e rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive

 Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Kur nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.”.  

Neni 2 i projekligjit “Hyrja në fuqi” bëhet neni 3.

DEPUTETE PROPOZUESE Edlira BODE

ARSYETIMI I AMENDAMENTEVE

Qëllimi pse paraqes amendimet në Kodin Penal lidhet me parandalimin e përhapjes së infeksioneve dhe forcimin e luftës kundër epidemive, nisur nga situata e vështirë që po kalon vendi ynë dhe mbarë bota nga virusi COVID19.

Për të arritur këtë qëllim, përvec sanksioneve administrative për të gjithë ata persona qëdo të shkelnin masat e marra, të vendosura nga organet shtetërore, është e nevojshme që të parashikohen dhe sanksione në Kodin Penal, për disa veprime dhe mosveprime të caktuara, duke marrë në konsideratë rrezikun që kanoset për jetën dhe shëndetin nga përhapja e epidemive të sëmundjeve ngjitëse, apo në situata në tjera në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Vende anëtare të Bashkimit Europian, ku përmend Italinë, kanë parashikuar sanksione të tilla në Kodin Penal.