Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer inspektime në 3 tregjet kryesore në Tiranë, dhe ka vendosur gjoba që kapin shifrën e 2.3 milionë lekëve. Gjobat variojnë nga 300 mijë lekë, deri në paralajmërime për bllokim aktiviteti.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, AKU thotë se ka kryer kontrolle në tregun e Kombinatit, në tregun në hyrje të ish-Uzinës “Dinamo” dhe në tregun Agro-Ushqimorë në rrugën Tiranë-Durrës.
“Inspektorët e AKU-së kanë konstatuar se shumica e subjekteve tregtonin produkte, duke mos plotësuar kushtet higjieno-sanitare. Konkretisht, produktet si djathë, peshk, gjalpë, gjizë, ullinj, mish etj, tregtoheshin jashtë ambienteve, duke mos u mbajtur në frigoriferë, ashtu siç e parashikon ligji. Inspektorët e Drejtorisë Rajonale të AKU-së Tiranë kanë vendosur gjoba për 10 subjekte. Gjithashtu këto biznese janë paralajmëruar për bllokim të produkteve, nëse do të konstatohet se, i tregtojnë përsëri ato, në ambientet jashtë biznesit”, thotë AKU në njoftim.
GJOBAT
Në tregun e Kombinatit, 3 subjekte janë gjobitur me 700.000 lekë.
Në tregun në hyrje të ish-Uzinës “Dinamo”, 4 subjekte janë gjobitur me 750.000 lekë.
Në tregun Agro Ushqimor në rrugën Tiranë-Durrës, 3 subjekte janë gjobitur me 900.000 lekë.
Në disa raste, produkte si gjiza apo djathi, shiteshin në rrugë dhe për këto subjekte është vendosur gjobë 300.000 lekë dhe u la detyrë të plotësoheshin kushtet, në të kundërt do merret masa për pezullim aktiviteti.





