TIRANË – Ndërkohë që Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të lirojë nga sekuestroja pronat e Ervis Gjeçajt, kunatit të ministres së Integrimit, ai vijon të jetë i pandehur në një gjykim në Gjykatën e Tiranës.
Gjeçaj akuzohet nga prokuroria për “organizim të lotarive të palejuar” dhe sipas nenit 197 të Kodit Penal rrezikon gjobë deri në 3 muaj burg.
Në dosjen për gjykim, theksohet se i pandehuri Ervis Gjeçaj, gjatë vitit 2008, së bashku me një shtetas italian, Angelo Prudentino, i cili më pas i shiti të gjitha aksionet që i bleu i pandehuri Gjeçaj, hapi disa pika bastesh ende pa marrë një licencë, siç e parashikonte ligji.
Dosja është depozituar në gjykatë që në muajin maj të këtij viti, por që prej atëherë nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, për shkak të shtyrjes së seancës. Kunati i ministres Majlinda Bregu, i pandehuri Ervis Gjeçaj, i njohur ndryshe edhe si ish-ortaku i djalit të bosit të organizatës mafioze “Sacra Corona Unita”, italianit Albino Prudentino, vijon të gjykohet në gjyq me cilësinë e të pandehurit për akuzën e “Organizimit të lotarive të palejuara”.
Çështja vijon të gjykohet nën drejtimin e gjyqtares Ariana Caco.