Lirohet nga burgu Arlen Hasanaj, 36-vjeçari i cili u arrestua si autor i dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse tek oborri i banesës së presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Gjykata e shkallës se parë Durrës ka pranuar kërkesën e avokatit Ilia Ilia për ndryshim të masës së sigurisë nga “Arrest me Burg” në “Detyrim paraqitje”, raporton “DurrësLajm“.

Provat e grumbulluara nga pala mbrojtëse u pranuan nga gjykata e cila ndryshoi masën e sigurisë, teksa seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.

“Kërkuam ndryshim të masës së sigurisë për mungesë të provave që implikojnë Hasanajn”, u shpreh avokati Ilia Ilia.

Arlen Hasanaj u arrestua më 25 janar, një ditë pas shpërthimit me lëndë plasëse në banesën e Dukës në bulevardin e Durrësit. Ndaj tij rëndonin akuzat për “Shkatërrim të pronës me eksploziv” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.