Avokati mbrojtës i 34-vjeçarit Arlen Hasanaj, i akuzuar për vendosjen e eksplozivit në portën e vilës së familjes Duka, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga policia.

Sipas avokatit Ilia Ilia, 34-vjeçari ka qenë në një qendër tregtare në Tiranë, në kohën kur është regjistruar ngjarja e rëndë në lagjen nr.4 të qytetit.

Avokati Ilia deklaron se pala mbrojtëse disponon pamjet filmike, kur shtetasi Arlen Hasanaj ka hyrë dhe ka dalë nga qendra tregtare, si dhe kuponat tatimorë për blerjet që ai ka regjistruar në këtë qendër.

Shtetasi në fjalë ka hyrë në orën 20:30 pranë ‘Megatek’-ut dhe ka dalë tek arka për të bërë pagesën në orën 21:37 minuta. Në orën 21:44 minuta ai ka dalë nga korpusi i ‘Megatek-ut.

Duke llogaritur dhe kohën e vendosjes së gjërave të tjera në automjetin e tij, duhet të kuptohet vetë se sa lidhje mund të ketë ai me ngjarjen e ndodhur, e cila dihet tashmë që është zyrtarizuar në orën 22:04 minuta“, thotë ndër të tjera Ilia.

Po sipas avokatit, policia ka marrë në dorëzim pamjet e hyrjes së 34-vjeçarit në qendrën tregtare, por jo momentet e largimit të tij.

Avokati mbrojtës thekson se klienti i tij nuk është skeduar asnjëherë penalisht, ka në pronësi të tij një biznes dhe është i pafajshëm për akuzat, që ka ngritur ndaj tij policia.

Ditën e nesërme pritet që 34-vjeçari Arlen Hasanaj të dalë përpara Gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë personale.

Kujtojmë se mbi të rëndojnë dy akuza për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi policia e arrestoi si autorin e dyshuar të vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit Armand Duka, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë.