Numri i nxënësve në shkollat shqiptare ka rënë me rreth 10 mijë brenda një viti, sipas të dhënave më të fundit për arsimin.
Në vitin shkollor 2023-2024 ishin të regjistruar rreth 349 mijë nxënës, ndërsa në 2024-2025 ky numër ka zbritur në rreth 339 mijë.
Rënia është vërejtur në të gjitha nivelet e arsimit. Në kopshte dhe shkollat fillore ka një ulje të ndjeshme, ndërsa edhe arsimi i mesëm dhe ai profesional kanë humbur mijëra nxënës. Vetëm në gjimnaze dhe shkolla profesionale mungojnë mbi 2 mijë nxënës krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave, faktorët kryesorë lidhen me emigracionin, uljen e lindshmërisë dhe krijimin më të vonshëm të familjeve nga të rinjtë. Shumë familje po largohen së bashku nga vendi, ndërsa një pjesë e çifteve të reja zgjedhin të mos krijojnë familje në Shqipëri.
Kjo situatë po reflektohet edhe në institucionet arsimore, ku disa shkolla raportojnë ulje të numrit të nxënësve dhe në disa raste rrezikojnë mbylljen e klasave.
Ndërkohë, INSTAT bën të ditur se numri i diplomimeve në arsimin parauniversitar ka rënë në rreth 53 mijë nxënës, ndërsa në total në të gjitha nivelet janë diplomuar mbi 82 mijë nxënës dhe studentë.
Në universitetet shqiptare është shënuar një rritje e lehtë, por prirja e përgjithshme në arsim mbetet në rënie.





