Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka ngritur alarmin për falsifikimin e pijeve dhe futjen e tyre kontrabandë. Në një njoftim për shtyp, doganat bëjnë thirrje që të bëhet kujdes me blerjen e produkteve pa pullën fiskale, pasi dëmtojnë jo vetëm buxhetin e shtetit, por edhe shëndetin e konsumatorëve.

Zyrtarë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit sqarojnë në një intervistë për Televizionin Klan, se pavarësisht masave të marra nga autoritetet, sërish në treg qarkullojnë mallra false apo që kanë hyrë kontrabandë.

Ledjon Ilollari thotë se produktet e falsifikuara, e sidomos pijet, në shumë raste shkaktojnë pasoja të rënda në shëndet.

Për Autoritetin e Ushqimit dhe Drejtorinë e Doganave, e vetmja mënyrë për të blerë produkte të sigurta është shoqërimi i tyre me kupon tatimor.

Gjatë sezonit të verës, qarkullimi i shitësve ambulantë dhe helmimi nga pijet e falsifikuara është në rritje. Autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të denoncojnë çdo rast.

/Tv Klan/