·Sipas ekspertëve, në epideminë e mbipeshës pjesërisht fajësohet jopopullariteti i ushqyerjes me gji

DURRËS, 9 maj 2015 – Fëmijët shqiptarë marrin “medalje bronzi”, duke zënë vendin e tretë në Evropë për obezitet, lajmi i bujshëm dhe shqetësues ka bërë xhiron botërore. Një studim i prevalencës së mbipeshës dhe obezitetit midis fëmijëve nën 5 vjeç në të gjithë Evropën ka zbuluar nivele të larta në shumë vende dhe theksoi nevojën për mbikëqyrje më të mirë dhe ndërhyrje të hershme në këtë grupmoshë.

“National Geografic” që i referohet këtij studimi, thotë se në Irlandë 27% e fëmijëve të vegjël janë mbipeshë, në Britaninë e Madhe – 23%, në Shqipëri – 22%, në Bullgari – 20%, dhe në Spanjë – 18%. Treguesit më të ulët janë regjistruar në Kazakistan (1%), Republikën Çeke (6%), Belgjikë (7%) dhe Suedi (8%).

Shkencëtari i zyrës rajonale për Evropën në OBSH Zhoao (João) Breda, thotë se shkaku kryesor i mbipeshës fëmijërore është të ushqyerit e gabuar që në lindje – pikërisht, mungesa e ushqyerjes me gji. Sipas statistikave, vetëm një në pesë nëna në Evropë ushqen me gji foshnjën e saj, të paktën, deri në gjashtë muaj.

Shkencëtarët pohojnë se në vendet ku përqindja e mbipeshës fëmijërore është e ulët – për shembull, në Kazakistan, – ekziston një kulturë e lashtë ushqyerjeje me gji. Më e rëndësishmja, qumështi i gjirit mbron nga mbipesha jo vetëm në fëmijëri. Te foshnjat me gji rreziku i zhvillimit të obezitetit në moshën e rritur ulet me 15-25%.

OBSH bën thirrje që qeveritë duhet të hartojnë strategji kombëtare për uljen e obezitetit te fëmijët, madje duke ngritur task force.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/