TIRANE – Albtelecom dhe Eagle Mobile, me mbështetjen e Spitalit Amerikan kanë dhënë kontributin e tyre për arsimin në hapësirën mbarëshqiptare duke ofruar 100 bursa për studentët. 

Dy kompanitë kanë organizuar me këtë qëllim një konferencë, ku kanë prezantuar nismën “Arsimi, projekti që na bashkon”, një projekt ky i iniciuar nga Fondacioni Arsimor Shqiptar. 

Kjo nismë ka ofruar mbështetje për 100 studentë që kryejnë studimet e larta, ndërkohë që këto bursa përfshijnë të gjitha universitetet brenda vendit, si dhe bursa në tre shtete, Turqi, Gjermani dhe Austri. 

Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile, zoti Orhan Coskun, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e arsimimit të rinisë sonë, pasi e ardhmja e vendit është e lidhur me të ardhmen e rinisë. 

“Ne jemi këtu së bashku me Fondacionin Arsimor Shqiptar, me Spitalin Amerikan të Shqipërisë për t’i bërë gjërat pak më të lehta për ta, pak më të lehta për një student. Të dashur studentë, ju duhet të ecni shpejt në autostradën e diturisë. Hapni dyer të reja për veten tuaj në këtë botë, dhe në këtë rrugë ju keni mbështetjen tonë në këtë kohë shumë të vështirë për ekonominë botërore.” – deklaroi Coskun.