DURRËS, 13 dhjetor 2014 –  Tashmë ekzistojnë dy stereotipe për shqiptarët në  Itaili. I pari është stereotipi i shqiptarit hajdut, klandestin, drogaxhi e kriminel. I dyti është stereotipi  “Albanesi brava gente” d.m.th shqiptarët njerëz për së mbari. Në këtë stereotipin e dytë bën pjesë edhe intelektualja e re durrsake Alda Kushi. Për herë të parë në historinë e arsimit të lartë (universitar) në Itali, një shqiptare, një jo italiane, një ekstra-komunitare u zgjodh me rreth 90% të totalit të votave Senatore e Universitetit të Barit.

Durrsakja jonë Alda siç shkruan edhe gazeta prestigjoze italiane “La Repubblica” është drejtuese e një organizate femërore në Atdheun e vet  (Forumi i Gruas Socialiste). Ajo është diplomuar me maksimalen e mundshme të notave në Universitetin katolik italo-shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë”, kuptohet për shkenca politike. Me vetë,  kënaqësi italianët shkruajnë, që rasti i Aldës është “brain drain” për Shqipërinë dhe” brain gain” për Italinë.

Në Universtitetin Aldo Moro të Barit, Alda kryen me sukses të plotë dy mastera. Më pas fiton konkursin për të kryer doktoraturën  në fushën e jurisprudencës me temë nga e drejta publike. Shoqata e Doktorantëve Italianë, ku bën pjesë Alda, e kandidon atë (ndonëse ekstrakomunitare) për në Senatin e Universitetit Aldo Moro të Barit. Kandidatura e Aldës nuk zhgënjen, sepse tashmë është fituese.

Alda si gjithmonë luftarake premton, që në Senatin e Universitetit do të jetë një avokate e rreptë e të drejtave të doktorantëve, me synim kryesor të luftojë politikën e ngushtimit të së drejtës për të doktoruar. Gazeta “La Repubblica” kujton se vetëm në Bari tre vitet e fundit të drejtat për të doktoruar në këtë universitet janë ulur nga 240 në 100. Sic shihet për intelektualen durrsake hapet një front i ri, një fushë betejë e re në labirintet e burokracisë universitare italiane.

  Në vitn 1991 ne shqiptarët shkuam në Itali me “carretta di mare” e me “gomone”, tashmë kemi në Bari një “campione”! Gjithë të mirat e suksese Alda, se na nderove Durrësin dhe gjithë Shqipërinë!

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/ 

http://bari.repubblica.it/cronaca/2014/12/12/news/universit-102740530/