Qindra e mijëra banorë të zonave informale në qytetin bregdetar po tregohen indiferentë ndaj pagesave të banesave apo edhe të parcelave, të cilat duhet t’i legalizojnë. Kreu i ALUIZNI-t, Andi Lila thotë se vetëm 50% e legalizimeve në Durrës kanë përfunduar, ndërsa pjesa tjetër nuk ka mundur të bëjë dot pagesën. Sipas tij pagesa përbën ngërçin që ka mbërthyer proçesin e legalizimeve. Në të gjithë qytetin e Durrësit janë 16 mijë parcela të përfshira në këtë proçes. Lila pohon se,- “problematika është e madhe pasi banorët nuk paguajnë detyrimet. Është pritur shumë ardhja e emigrantëve që të paguheshin detyrimet e ALUIZNI-t, për t’u dorëzuar më pas çertifikatën e legalizimit, por pagesat janë në nivele shumë të ulëta’’,- pohon ai. Ndërkaq Lila është shprehur se plot 204 ndërtime, përfshi këtu shtëpi banimi, biznese etj të cilat janë ndërtuar në zonat periferike të qytetit të Durrësit është menduar që të shemben. “Në lotin e parë të unazës Shkozet – Plazh, është parashikuar prishja e 81 ndërtimeve pa leje, 17 prej të cilave janë biznese dhe 64 shtëpi banimi”,-deklaroi kreu ALUIZNI-t. 

Pikërisht me këtë zonë është punuar fort dhe ALUIZNI ka përfunduar të gjitha proçedurat ligjore për fazën e dytë të punimeve, që përfshin trasenë e trupit të rrugës të bypass-it të Shkozetit me gjatësi 5 kilometër dhe gjerësi 35.5 metër, me brez të gjelbër ndarës, trotuare si dhe rrugë paralele shërbimi. “Të dy anët kalojnë në një zonë me densitet shumë të lartë informal”,- deklaroi kreu i ALUIZNI-t. Punimet në rrugën e unazës së Shkozetit janë shoqëruar me vonesa në zbatimin e projektit, ndwrsa duhet të ishin mbyllur disa muaj më parë. Ndërkaq edhe në aksin tjetër Kënetë-Porto Romano gjithashtu është parashikuar të shemben rreth 125 ndërtime, të cilat pengojnë investimin. Edhe në këtë aks Agjensia e Legalizimeve pothuajse ka përfunduar të gjitha dosjet e parcelave për legalizim që banorët të përfitojnë dëmshërblimin. Zgjerimi i unazës së Shkozetit dhe segmentit Kënetë-Porto Romano, ka bërë që shumë ndërtesa të ngritura anës rrugës të shemben për t’i hapur rrugë këtij investimi. Një pjesë e këtyre ndërtimeve kanë qenë në tokë shtetërore, një pjesë tjetër kanë përfituar nga ligji i legalizimit, madje një numër i vogël banorësh  të këtyre shtëpive kanë paguar edhe detyrimet për legalizimin e tyre pas kërkesave të vazhdueshme nga Agjensia e Legalizimit në Durrës. Nga të dhënat e regjistruara në zyrat e ALUIZNI-t mësojmë se vetëm në zonën e ish-Kënetës kanë përfunduar 8 mijë dosje të plota për legalizimin e banesave. Ndërsa  përsa i përket të gjithë qytetit, numërohen mbi 16 mijë banesa në legalizim e sipër, por që pagesat janë shumë të ulëta në krahasim me të tjerat. Vetëm 1350 familje, kryesisht në zonën e Shkozetit, në hyrje të Durrësit, dhe përballë tregut industrial kanë paguar deri tani tarifat siç i ka parashikuar ligji.