Në Dibër të Madhe është zhvilluar retreat-i diplomatik i radhës, i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Shkup, nën kujdesin e ambasadorit të Shqipërisë, Denion Meidani.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, drejtues të universiteteve, personalitete të jetës publike dhe studentë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Universiteti i Tiranës u përfaqësua nga rektori, Prof. Dr. Artan Hoxha, i cili mori pjesë së bashku me drejtues të institucioneve të arsimit të lartë nga të dyja vendet.
Në fokus të diskutimeve ishte arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndëruniversitar mes institucioneve shqiptare dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe rolit të Universitetit të Tiranës në arsimimin e të rinjve shqiptarë dhe kontributit të tij në zhvillimin e arsimit të lartë në rajon.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për zhvillimin e projekteve dhe programeve të përbashkëta ndërmjet universiteteve shqiptare dhe institucioneve të arsimit të lartë në vendet e rajonit. Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira u vlerësua si një tjetër mundësi për forcimin e bashkëpunimit akademik.
Retreat-i shërbeu si një forum për shkëmbimin e ideve dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit akademik, institucional dhe rajonal mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në një atmosferë bashkëbisedimi dhe komunikimi të hapur.





