Artistja me origjinë shqiptare Bebe Rexha ka ndarë një rrëfim personal dhe të ndjerë me ndjekësit e saj, ku përmes disa postimeve në “InstaStory” ka hapur zemrën për betejat, padrejtësitë dhe zhgënjimet që ka përjetuar në industrinë muzikore ndër vite.
Në mesazhet e saj, Bebe reflekton mbi rrugëtimin e saj si artiste dhe sfidat që kanë ndikuar në shëndetin e saj emocional dhe profesional. Ajo nis rrëfimin me një analizë të sinqertë të përvojave që e kanë shoqëruar në karrierën muzikore.
“Kohët e fundit kam menduar shumë për rrugëtimin tim në muzikë. Dashuria ime më e madhe në jetë ka qenë të shkruaj këngë dhe t’i performoj ato. Por diku gjatë rrugës, gjithçka pushoi së qeni e thjeshtë. Gjithmonë kishte shumë ‘kuzhinierë në kuzhinë’. Shumë opsione. Dhe unë jam pjesërisht fajtore sepse doja të kënaqja të gjithë. Vetëm doja të fitoja, por e humba veten. Kur përpiqesh të ndjekësh hite, e hollin identitetin tënd,” shkruan ajo.
Më tej, këngëtarja flet për pasojat emocionale që kjo përpjekje për të kënaqur të gjithë i ka sjellë, duke ndikuar thellësisht në motivimin dhe vetëbesimin e saj si artiste.
“U dekurajova. U ndjeva e heshtur. U dorëzova. Edhe pse ndjej se fansat e mi më besnikë e kanë kuptuar çfarë po ndodhte”, rrëfen ajo.
Një prej momenteve më të forta të rrëfimit është kur Bebe ndalet te mënyra si politika brenda industrisë muzikore ka ndikuar në rrjedhën e karrierës së saj. Ajo pohon se fakti që nuk ka pranuar të jetë pjesë e interesave të mbyllura dhe nuk ka bërë kompromis me bindjet e saj, i ka sjellë pengesa të mëdha.
“Ka pasur raste kur jam ndier e anashkaluar. Më kanë mbajtur pas. Qëllimisht. Jo për shkak të talentit apo përkushtimit tim, por për shkak të politikave. Sepse nuk kam ledhatuar egot. Sepse isha e vështirë, vetëm pse mbroja veten time. U ndëshkova për vite,” shprehet këngëtarja.