Tre fakultete, dy pa dekanë të zgjedhur, Prof.Dr.Bardhyl Cekut nuk i njihet fitorja si dekan i Fakultetit të Biznesit në Durrës. Ndonëse ka siguruar shumicën e votave në zgjedhjet e së premtes, ai së bashku me rivalin e tij Altin Muça në garën për drejtimin e këtij fakulteti do të përballen në një raund të dytë dhe nëse as në këtë raund kandidatët nuk do të arrijnë të marrin të paktën 33,3 përqind të votave do të jetë rektori që emëron ose riemëron dekanin për periudhën njëvjeçare në vazhdim.

Kjo skemë është deklaruar disa kohë përpara zhvillimit të zgjedhjeve, duke shkaktuar çudi me saktësinë në parashikim, të paktën pjesërisht, pasi raundi i dytë nuk është zhvilluar ende. 

Tërheqje kandidatësh, mosnjohje procesverbali, tension, rinumërim votash, po dhe një ndërgjegjësim e pjesëmarrje më e lartë e studentëve në votim. Këto kanë qenë elementët që kanë karakterizuar atmosferën zgjedhore dhe pas-zgjedhore në Universitetin “Aleksandër Moisiu” që këtë fundjavë zhvilloi procesin e zgjedhjeve të pjesshme për pozicionet drejtuese në fakultetet e tij, duke përfshirë dhe Senatet dhe përgjegjësit e departamenteve.

Nga tre fakultetet të cilat u përfshinë në garën elektorale për zgjedhjen e dekanëve, vetëm Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike ka mundur të zgjedhë dekanin. Prof.Dr. Elmaz Leci ka siguruar 53 përqind të votave, nga 50 plus 1 që duhej të siguronte për t’u shpallur fitues si kandidat i vetëm për këtë post. Ndërkohë në fakultetin e Studimeve Profesionale nuk janë zhvilluar votimet për dekan. Pas tërheqjes së kandidatit Asllan Hajdari, janë tërhequr nga gara pak para ditës së zgjedhjeve edhe kandidatët Prof.Dr.Pirro Prifti dhe Prof.As.Dr.Arben Dushi. 

Burime nga ky fakultet bëjnë të ditur se atmosfera e krijuar paraprakisht në këtë fakultet kishte krijuar terren të papërshtatshëm për garën dhe fitoren e kujtdo prej dy kandidatëve të mbetur. Ky fakultet drejtohej deri para zgjedhjeve nga Dr.Mehdi Shehu, i cili në këto rrethana pritet të riemërohet nga rektori Mithat Mema në këtë post edhe për një vit. Të njëjtën pritshmëri ka dhe dekani i fakultetit të Biznesit Doc.Ilir Hoti. Dekanët e fakulteteve nuk kanë mundur të përfshihen në garën elektorale, pasi nuk kanë gradat e nevojshme shkencore për këtë pozicion drejtues.

“Dy fletët” që bënë ndryshimin

Gara ka qenë e fortë në fakultetin e Biznesit, jo për shkak të rivalitetit mes dy kandidatëve Bardhyl Çeku dhe Altin Muça, po për shkak të situatës që deklarohet se është krijuar gjatë ditëve para zgjedhjeve mes pedagogëve. Kandidati për dekan Bardhyl Ceku shprehet se ndaj pedagogëve ka pasur deri dhe presione për pushim nga puna.

Gjatë një komunikimi me Prof.Dr. Cekun ai është shprehur i bindur për fitoren, duke iu referuar fundit të numërimit dhe firmosjes së procesverbalit nga anëtarët e komisionit. Në mbyllje të këtij procesi, Çeku ka rezultuar fitues me 35,8 përqind të votave, pra 2,5 përqind më shumë se pragu që një kandidat duhet të arrijë, kur në garë janë përfshirë 2 kandidatë.

Fituesit nuk konfirmohen, kandidatët tërhiqen nga gara. Kjo është panorama e raundit të parë të votimeve të zhvilluara në tre nga fakultetet e universitetit “Aleksandër Moisiu”. Dekanët e fakultetit të Biznesit dhe  Studimeve Profesionale nuk kanë mundur të përfshihen në garën elektorale, pasi nuk kanë gradat e nevojshme shkencore për këtë pozicion drejtues. Ata pritet të rikonfirmohen në këtë post nga rektori Mema

E teksa pyet në universitet janë të shumtë ata që të pohojnë fitoren e Çekut, pasi Muça është i jashtëm dhe thuajse nuk njihet nga stafi akademik dhe ai administrativ i fakultetit. Nga studentët aq më pak. Disa i referohen rezultatit të dalë nga votimi. Po gjërat ndryshojnë. Sinjali i parë për parregullsi është dhënë gjatë procesit të numërimit.

“Po tentohet manipulimi i procesit.”- deklaroi një nga anëtarët e komisionit të fakultetit. Dy fletë votimi të bardha të gjetura në një prej tre kutive të votimit kanë vënë në pikëpyetje procesin, po dhe përmbysur rezultatin. Mesditën e së shtunës, sekretari i KQZI-së Naim Leba pohoi se procesi i numërimit për këtë fakultet nuk është mbyllur dhe se pas parregullsisë së vërejtur me disa fletë votimi, numërimi i votave do të bëhet nga KQZI. Pasditen e vonë, rezultati ka ndryshuar.

Leba deklaron se nga numërimi rezulton se Prof.Dr.Bardhyl Ceku ka fituar 31 përqind të votave dhe nuk ka mundur të arrijë pragun e kërkuar, ndërsa rivali i tij vetëm 5 përqind të votave. Të dy do të përballen në një raund të dytë, nëse nuk vendosin dhe ata të tërhiqen si kandidatët e Fakultetit të Studimeve të Integruara.

Një gjë e tillë do të dëshmonte jo thjesht tërheqjen përballë rrethanave që vetë kandidatët i quajnë të pazakonta për zgjedhje në ambjente universitare, por edhe një dështim të një prej institucioneve bazë të demokracisë, votës së lirë dhe vendosjes së drejtimit përmes zgjedhjes së më të mirëve përmes saj.

 

Kandidatët për dekanë

Fakulteti i biznesit

Bardhyl Ceku – 35.8% të votave, nuk i njihet fitorja

Altin Muça – Pedagog i jashtëm i këtij fakulteti

Ilir Hoti – Dekani aktual, nuk garoi

Fakulteti i Studimeve Profesionale

Asllan Hajdari – U tërhoq nga gara

Pirro Prifti – U tërhoq nga gara

Arben Dushi – U tërhoq nga gara

Mehdi Shehu – Dekani aktual, nuk garoi 

Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike

Elmaz Leci – Mblodhi 53% të votave, u shpall fitues