75 vjet më parë u nda nga jetaAnastas Koxhaj, një nga njerëzit që dha më shumë për ngritjen e futbollit durrsak. Megjithëse iku shumë i ri, Koxhaj do të kujtohej nga të gjithë si njeriu që solli për herë të parë në qytetin bregdetar topat e futbollit, apo që shpiku Ole-n e famshme durrsake. I riu Koxhaj do të ishte kryetari i parë i sportklubit “Teuta”, por njëkohësisht edhe futbollist dhe trajner i tij  

Pohojmë gjithnjë se futbolli durrsak është me tradita. Madje Teuta është pjesëmarrëse që në kampionatin e parë kombëtar të futbollit, organizuar në vitin 1930. Nuk po shtrihemi edhe më shumë në kohë, për të zbuluar lëvizjet futbollistike të para në Durrës diku nga viti 1918, kur ishte edhe fundi i luftës së parë botërore. Është si një detyrim moral, si një amanet që “se tret dheu”, të zbulojmë dhe evidentojmë figurat qendrore të futbollit durrsak. Brezi i ri duhet ta ndjejë dhe aq më shumë ta prekë këtë traditë, nëpërmjet materialesh të tilla që gazeta “Dyrrah” i ofron lexuesve të saj dhe opinionit qytetar të Durrësit. Anastas Koxhaj! Më 22 maj 1937 u nda nga jeta, i sëmurë rëndë nga tuberkulozi. Dhe tash mbushen 75 vjet nga dita që është larguar nga bota e të gjallëve, për të mbetur si një kujtim i pashlyer për atë ç’ka i dha futbollit të Durrësit.

Krijuesi i shoqërive sportive

Anastas Koxhaj lindi në Magarove, fshat pranë Bitolit, në Manastir të Maqedonisë, në vitin 1904. Me fillimin e luftës së parë botërore diku nga viti 1914, vendoset me familjen në Durrës, ku i ati dhe vëllai i madh kishin ardhur në vitet e para të shekullit 20-të. Që në moshën 15 vjeçare është marrë me futbollin. Luante së bashku me shokët e tij në fushat e improvizuara sportive të kohës. Dhe këta shokë janë pesha e rëndë e traditës së futbollit durrsak si Telemak Nushi, Telemak Anastasiadhi, Mikel Nushi, Stefan Druga etj. Vepronte në atë kohë shoqëria sportive “Atdheu”, e krijuar në vitin 1920. Rinia sportive e qytetit, e donte dhe e respektonte Anastasin jo vetëm se solli në Durrës nga Bari i Italisë topat e parë të futbollit, këpucët e fanellat, por edhe sepse ai ishte një tip shumë i dhënë pas futbollit. Mbeti deri në fund të jetës përkrahës i futbollistëve të rinj dhe propagandues i këtij sporti në masat e gjera sportive. Që në vitet 1919-1920 e më tej, së bashku me një grup shokësh aktivistë të mëdhenj të futbollit, ideoi dhe krijoi skuadra sportive të topkëmbës, të cilat edhe i drejtonte.

Anastas Koxhaj krijoi olimpizmin, duke e bërë sportin dhe kryesisht futbollin sa më të larmishëm, me krijimin e shoqërive sportive “Atdheu”, “Lulzimi”, “Durrësi”. Këto shoqëri qëndruan në këmbë deri në vitin 1930, kur filloi kampionati i parë kombëtar i futbollit dhe filloi të funksionojë sportklub “Teuta”. Koxhaj mbeti nga krijuesit, drejtuesit dhe organizuesit e shoqërisë sportive “Teuta” deri më 20 shkurt 1935, pasi u tërhoq nga aktiviteti duke i lënë vendin të rinjve. Që nga krijimi e deri në atë vit, Anastas Koxhaj ishte kryetar i kryesisë së klubit sportiv “Teuta”. Ekziston një regjistër për periudhën 1930-1935, ku është përfshirë plotësisht aktiviteti i Këshillit Sportiv “Teuta”. Në 70-80 vendime që janë marrë ka qenë i pranishëm 100 përqind Anastasi, duke dhënë një ndihmesë aktive dhe shumë të çmuar. Është i dokumentuar fakti që Anastas Koxhaj, ka ndihmuar financiarisht nga xhepi i tij më shumë nga të tjerët, për zhvillimin e futbollit durrsak. Anastasi ynë bënte njëherazi futbollistin, trajnerin dhe përgjegjësin e ekipit.

Nxitësi i fair play-it dhe shembullit moral

Fryma futbolldashëse e tij e nderoi Durrësin jo vetëm në sukseset që arrinte duke fituar ndaj rivalëve, por edhe në fair play-in e futbollistëve të saj. Interesant është fakti se Teuta e sezonit 2011-12 doli kampione e fair play-it në superiore, ashtu si dikur ekipet që drejtonte aktivisti i madh i futbollit durrsak Anastas Koxhaj. Tradita e urtësisë, ndershmërisë dhe korrektesës sportive, është përcjellë në breza duke krijuar kulturën e pashembullt sportive të futbollistëve durrsakë. Në ekipin e futbollit, Anastas Koxhaj, futi frymën e dashurisë e të miqësisë së vërtetë, përkrah lojës korrekte dhe kjo jo vetëm kur fitohej, por edhe kur humbisnin.

Shokët e tij kujtojnë nga Anastasi, se shprehej vazhdimisht se futbolli është sport i bukur, por ai duhet luajtur pa zënka, grindje e grushta ndërmjet futbollistëve. Fliste shpesh edhe para tifozëve durrsakë duke thënë se duhet duartrokitur loja e bukur e futbollistëve, qoftë edhe e kundërshtarëve, në se ata luanin mirë dhe bukur. Anastasi dhe bashkëpunëtorët e tij, krahas shoqërisë “Atdheu” krijuan edhe shoqërinë sportive “Lulëzime” dhe të tjera. “Sa herë,- shkruante gazeta e përjavshme Sporti Shqiptar e asaj kohe,- ndodhte që për vogëlsira grupet sportive përçaheshin, Anastasi ishte shërimi i tyre. Aj bashkonte, aj nxiste, aj këshillonte me vijuem të bashkuem në të neltësuem të ngjyrave durrsake që ai kishte për zemër”. Jetën nuk e pati të gjatë, por aq sa jetoi peshoi shumë në të gjitha drejtimet. Veçanërisht në jetën shoqërore dha shumë për qytetin e Durrësit dhe rininë sportive durrsake.

Shpiku “Ole-n” e famshme

Popullariteti i tij sidomos ka qenë i pakufi në fushat sportive, ku Koxhaj me pasionin e tij pati arritur të krijonte atë tifon e famshme durrsake ndër turmat sportive. Tipar kryesor i tij, ishte organizimi i tifozërisë durrsake, madje krijoi traditën origjinale të inkurajimit të saj. Duke u gjendur gjithnjë në tribunën qendrore, nga ai fillonte sinjali i një inkurajimi të jashtëzakonshëm të tifozërisë, plotësisht në një sens perëndimor. Me nismën e tij, i organizoi tifozët në siglën që sipas dëshmitarëve ishte kjo: “Ole, Ole, Ole Durrësi. Edhe sis, Edhe bum. Edhe sis, bum ba! Durrësi – Urra, Urra, Urra!” Fanellat e klubit në vitet 30-të ishin të bardha, me një shirit të kuq në gjoks. Kështu që në atë kohë, tifozëve u ishte dhënë nga një shall. Ishte nderi i djelmnisë durrsake.

Mbresat e Gjon Dakës

E kam takuar këtë njeri të mirë në majin e vitit 1997. Është nga redaktorët e parë të gazetës “Sporti Popullor”. Ja se çfarë më tha ky emër i njohur i gazetarisë sportive shqiptare.

Ishte viti 1946. Në dhomën e vogël të redaksisë së gazetës Sporti Popullor, po bisedonim me Anton Mazrekun, gazetarin e shquar sportiv në atë kohë dhe Kryetar i Federatës Sportive Shqiptare, rreth kampionatit të parë ballkanik të futbollit të pas luftës. Papritmas Antoni u hodh mbi një temë tjetër: Të pasqyrojmë në gazetë veprimtarinë e atyre njerëzve që kanë dhënë shumë për lëvizjen sportive në Shqipëri, në mënyrë që brezat që do të vijnë të kenë shembuj të lavdishëm që të mos harrohen kurrë. Nisëm të kujtojmë emra të ndryshëm nëpër Shqipëri dhe kur erdhi fjala për Durrësin, Antoni përmendi emrin e Anastas Koxhaj, i cili ishte ndarë prej nesh disa vite më parë. “Është një figurë komplekse, një personalitet i shquar dhe mbrojtës i sportit durrsak dhe pse jo edhe atij mbarëshqiptar”,- më tha Mazreku i famshëm. Vendosëm të bënim listat dhe të fillonim menjëherë nga botimi i këtyre figurave. Grumbullimin e  këtij materiali rreth veprimtarisë së Anastas Andrea Koxhajt e morëm përsipër unë dhe Antoni, i cili edhe do të pyeste për këtë nismë. Kaluan disa kohë dhe mbi këtë nsimë nuk u fol më. E pyes Antonin si vajti puna e botimit të këtyre figurave dhe disi me gjysëm zëri tha: “Ta lëmë hë për hë. Çështje biografish…dhe”. Nuk vazhdoi më tutje. Kanë kaluar 50 vjet që nga ajo kohë, por kurrë harresa nuk e mbuloi figurën e këtij dashamirësi të sportit. “Nuk e tret dheu punën  e mirë dhe të dobishme”,- kështu më tha njeriu i mirë Gjon Daka më 21 maj 1997.

Mbetet kujtimi më i bukur

Anastas Koxhaj në moshë të re, kur shoqëria futbollistike ishte në lulëzimin e saj të plotë, sëmuret nga tuberkulozi që merrte në atë kohë jetë njerëzish. Megjithëse iu vunë re shenjat e para të sëmundjes, ai nuk u nda nga futbolli dhe shoqëria sportive. U tërhoq vonë dhe kjo ishte fatale për jetën e tij. Megjithatë edhe kur u tërhoq për shkak të sëmundjes, e cila avanconte për çdo ditë, shokët e futbollit vinin për ta parë dhe i kërkonim mendime të ndryshme. Ai jiihej si një nga drejtuesit kryesorë, me shpirt të mirë, i drejtë dhe i aftë për të dhënë këshilla. Anastas Koxhaj vdiq me 22 maj 1937, në kulmin e moshës dhe të energjive mendore dhe fizike. Ishte vetëm 33 vjeç. Me këtë rast, gazeta “Sporti Shqiptar” i kushtonte në numrin e saj të datës 22 maj 1937 në faqen e parë një artikull të gjatë.

Materiali vë në dukje vetitë morale që e karakterizonin Anastasin, dashurinë dhe këmbënguljen e tij për të ngritur ekipin sportiv të shoqërisë “Atdheu” që më vonë mori emrin “Teuta”, e cila pati aq suksese në ato vite. Emrin e tij gazeta e lidhte ngushtë me historinë e sportit shqiptar. Ndër të tjera gazeta “Sporti Shqiptar” atë ditë shkruante: “…Anastasi ishte njeri i ëmbël, i dashur, veprimtar. Ai çmohej dhe respektohej nga të gjithë. Në jetën tregtare quhej si nga të rinjtë e këtillë më të arritur dhe në jetën shoqërore ishte një shembull…”. Dhe më poshtë gazeta theksonte se,- “humbjen e tij, nuk e ndjejnë vetëm kolegët dhe shokët e sportit, por e ndjen më shumë rinia sportive durrsake. Me vdekjen e tij humbi një nga frymëzuesit e parë të kësaj veprimtarie, një nga kryetarët më aktivë dhe një nga shokët më të çmueshëm të saj. Do të kujtohet se Anastas Koxhaj u largua prej gjinit të djelmënisë, po sot më tepër se kurrë ai asht pranë saj, pse puna e ideali i tij janë të paharrueshëm. Kujtimi i tij mbet i pashlyeshëm në zemrat e rinisë sportive dhe emri i tij ngushtësisht i lidhur me historikun e sportit shqiptar”.