Shqipëria U-19 triumfoi edhe në ndeshjen e dytë miqësore ndaj Malit të Zi me rezultatin 2-0.
Në stadiumin “Reshit Rusi” kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe dominuan takimin. Golat e fitores i shënuan Jordi Jaku dhe Briajan Gjyla.
Trajneri Ahmataj e nisi ndeshjen me këtë formacion: Amarildo Dervishaj (GK), Kleo Shpuza, Fabjan Përndreca, Denis Prendi, Antonis Dama, Matia Huqi, Dean Vranici, Jordi Jaku, Ron Hasani, Briajan Gjyla, Flavio Sulejmani (C).
Kombëtarja shqiptare U-19 e nisi shumë mirë ndeshjen duke kontrolluar topin dhe duke tentuar portën kundërshtare.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 42-të. Shqipëria mori avantazhin me Jordi Jakun. Pjesa e parë u mbyll 1-0.
Fraksioni i dytë nisi me një ndryshim për kuqezinjtë. Nga loja doli Ron Hasani dhe u aktivizua Xheto Nuredini.
Shqipëria dyfishoi rezultatin në minutën e 57-të me Briajan Gjylën. Sulmuesi kuqezi shënoi një gol të bukur dhe vulosi fitoren ndaj Malit të Zi.
Deri në fundin e takimit kuqezinjtë patën sërish disa raste të mira shënimi, por pa konkretizimin e duhur. Në fund ndeshja u mbyll me triumfin e Shqipërisë 2-0
Fitorja e dytë radhazi për Kombëtaren shqiptare U-19 në testet miqësore të tetorit. Tani i gjithë fokusi i trajnerit Ahmataj dhe stafit teknik do të jetë te ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve të Europianit 2025 për moshën U-19, që luhen në nëntor.
Shqipëria është pjesë e grupit 11 së bashku me Izraelin, Danimarkën e Irlandën e Veriut dhe ka si objektiv kalimin në fazën “Elite Round”.
Të gjitha ndeshjet e grupit 11 do të luhen në Shqipëri nën organizimin e Federatës së Futbollit.