Mungesë në Kampionatin Botëror 2018, një katastrofë sportive në territorin italian. Ventura u shfajësua, Tavecchio dha dorëheqjen, kurs i ri i ekipit kombëtar do të nisë vetëm në 2018. Duhet një strateg i sprovuar në stolin blu për të synuar Europianin 2020 dhe filluar nga rindërtimi i kështjellës së shkrirë. Por, kjo nuk vlen për Carlo Ancelottin.

I intervistuar nga "Domenica Sportiva", në fakt, Ancelotti përsëriti se nuk donte të angazhohej me një ekip kombëtar. Pas shkarkimit nga Bayern Munich, një nga trajnerët më të suksesshëm në rang klubesh i të gjitha kohërave dëshiron të merret me punën e përditshme, me garat që e kanë bërë atë një legjendë për pesëmbëdhjetë vitet e fundit.

"Shkuarja tek skuadra kombëtare do ta bënte të vështirë ndryshimin e vendeve të punës. Unë dua të vazhdoj trajnimin e një klubi, por sigurisht e di që të gjithë italianët më duan mua. Futbolli ynë ka probleme dhe unë nuk mendoj se mund t’i zgjidh i vetëm ato. Eshtë një çështje e sistemit. Momentalisht, nuk jemi në nivelin e homologëve spanjollë, gjermanë apo anglezë," theksoi Ancelotti.

Jo të gjithë tifozët e Italisë, megjithatë, do të donin që ai të marrë kryesimin e kombëtares. Tifozët e Milanit, për shembull, do të preferonin që më parë ta shikonin Ancelottin përsëri duke drejtuar kuqezinjtë, të cilët kanë larguar Montellën për një ish-futbollist të Carletto, Gattuso.

"Unë kurrë nuk kam pasur ndonjë kontakt me pronarët e rinj të Milanit, por do të doja të kthehesha në Itali", – vazhdoi Ancelotti. Pra, nuk duhet të përjashtohet një kthim më 2018 në Seria A për të, natyrisht në rast të dështimit të riangazhimit jashtë vendit para verës së ardhshme.

Ancelotti, megjithatë, konfirmoi se ka qenë i kontaktuar nga FIGC: "Është e vërtetë, por nuk ka konflikt interesi në mes të ekipit kombëtar dhe klubeve. Federata duhet të mbizotërojë mbi ekipet për të përmirësuar sistemin, ndërsa klubi duhet të ndihmojë federatën. Tavecchio? Unë nuk kam asnjë problem, por nuk kam pasur ndonjë kontakt me të".