Anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Europian nuk do të jetë proces i shpejtë, kanë paralajmëruar zyrtarët përpara takimit historik në Kiev.

Samiti BE-Ukrainë do zhvillohet të premten dhe zyrtarët e lartë kanë filluar të mbërrijnë në Kiev.

Përpara takimit, kryeministri Denys Shmyhal tha se Ukraina kishte vendosur “qëllimin ambicioz” për t’u bashkuar me BE në dy vjet.

Por një grup shtetesh anëtare kanë paralajmëruar se duhet t’i bëhet e qartë Kievit se kjo nuk do të jetë e mundur.

Qershorin e kaluar Ukraina fitoi statusin e vendit kandidat për në BE me shpejtësi rekord, në atë që Presidenti Volodymyr Zelensky tha se ishte një moment unik dhe historik.

Ndonëse është hapi i parë drejt anëtarësimit, procesi zakonisht zgjat shumë vite dhe disa vende aktualisht janë në radhë.

Zelensky tha përpara samitit se do të ishte një javë e integrimit evropian dhe Kievi po priste vendime nga partnerët e tij në BE në përputhje me përparimin e arritur pavarësisht luftës në shkallë të gjerë me Rusinë.

Megjithatë, pak në Bruksel e shohin një objektiv dy-vjeçar si një synim real, me shqetësimet se mesazhet e forta nga disa figura të larta brenda BE-së mund të çojnë në zhgënjim.

“Kjo nuk është ajo që i duhet Ukrainës,” tha një diplomat i BE-së.

Një tjetër foli për presion, që vjen nga vende si Polonia, për të përshpejtuar procesin.

Një projekt-deklaratë e BE-së, që do të publikohet pas samitit, përsërit zotimin se e ardhmja e Ukrainës është në BE dhe pranon “përpjekjet e konsiderueshme” të bëra muajt e fundit drejt përmbushjes së objektivave që mbështesin statusin e saj kandidat dhe kryerjes së reformave.

Por burimet për BBC thanë se një pjesë e deklaratës është ndryshuar. Franca, Gjermania, Italia dhe kombet e Beneluksit thuhet se të gjithë kanë paralajmëruar kundër ngritjes së një toni tepër optimist.

Përpjekjet e Ukrainës për reforma po vlerësohen gjerësisht, por ende nuk ka pasur asnjë vlerësim publik të BE-së për përparimin.