Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për përballimin e zjarreve në disa zona të vendit. Ekipet operacionale po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, ndërsa në mbështetje të tyre janë angazhuar efektivë, mjete zjarrfikëse dhe helikopterë të Forcës Ajrore.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara në Dajt, Mirditë dhe Pukë.
“Forcat e Armatosura, të angazhuara intensivisht në operacionet për përballimin e zjarreve në disa zona të vendit. Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon puna e forcave operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Aktualisht, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Lufaj, Mirditë – Vijon puna e strukturave në terren me 2 mjete zjarrfikëse të FA dhe me 9 efektivë. Aktualisht, vatra nuk paraqet rrezik për banesat. Fushë-Lajë, Pukë – Vijon operacioni me angazhimin e 40 efektivëve të FA. Aktualisht, nuk ka rrezik për zonat e banuara”, shkruan Ministria e Mbrojtjes.





