12 shtator 2015 – Anije të grupit SNMCMG2 të NATO-s vizitojnë portin e Vlorës
FOTO-REPORTAZH NGA SHEFQET KËRCELLI
13 shtator 2015 – Në zbatim të programit të bashkëpunimit me NATO-n dhe aktiviteteve kryesore të Forcave të Armatosura dhe Forcës Detare për vitin 2015, më 11-13 shtator 2015, po zhvillon një vizitë në portin e Vlorës grupi i gatshëm i anijeve minaheqëse të NATO-s SNMCMG2 (Standing NATO Mine Countermeasures Group 2).
SNMCMG2 vepron si një njësi integrale e NATO-s dhe merr pjesë në stërvitje të përbashkëta ose kryen misione dhe operacione në gjithë botën. Është kryesisht e angazhuar në rajonin e Mesdheut, por kjo njësi është në dispozicion kudo ku NATO e kërkon atë për tu dislokuar ose për te kryer operacione. SNMCMG2 normalisht përbëhet nga tetë dragamina (minaheqëse, minakërkuese) dhe një anije mbështetëse (ndihmuese) nga vendet anëtare të NATO-s si Belgjika, Gjermania, Greqia, Italia, Spanja, Turqia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Në këtë rast grupi, që vizitoi portin e Vlorës, përbëhej nga anijet TCG Sokullu Mehmet Paşa (A-577), anije flamurtare; TCG Akcakoca, M 268, pjesë e flotës turke; M 63 Kallisto, pjesë e flotës greke dhe SGGS Wielhelm, M-1059, pjesë e flotës gjermane. Vizita në portin e Vlorës i parapriu një vizite që ky grup bëri në portin e Tivarit, Mali i Zi, më 5 shtator 2015. Qëllimi i kësaj vizite treditore në Shqipëri ka të bëjë me trajnimin dhe bashkëveprimin midis Forcave Detare shqiptare dhe atyre të NATO-s.
NË KOMANDËN E FLOTILJES
Fillimisht anijet e NATO-s u pritën dhe shoqëruan në ujërat territoriale nga anija patrulluese e Forcës Detare, P-132, “Oriku”, me komandant, kapiten i rangut III Ilirjan Çobo. Ndërsa për pritjen e anijeve në portin e Vlorës kishin dalë kuadro të Flotiljes Detare dhe shtabit të flotës kryesuar nga kapiteni i rangut I Subi Zenelaj, përfaqësues të autoritetit portual dhe kapitanerisë Vlorë, policisë ushtarake, sigurisë portuale, etj. Mbas kësaj pritjeje komandanti i grupit SNMCMG2, kapiten Ramazan Kesgin; shefi operacional i grupit Engin Ozmen dhe drejtuesit e anijeve përbërëse: LCDR Murat Erdogan, Gorgios Maraslis, Feliks Uhlemann dhe kapitenlejtënant Yasin Tekin zhvilluan një vizitë në komandën e Flotiljes Detare në Pashaliman, ku u pritën nga drejtuesit dhe kuadro të shtabit dhe grupeve patrulluese. Zenelaj i uroi mirëseardhjen kapiten Kesgin-it dhe ditë të mbara bashkë me efektivin e grupit. Më pas ai i njohu kolegët e NATO-s me punën që bën personeli i Flotiljes për të realizuar misionin e tij në det, stërvitjet e përbashkëta, përgatitjen dhe arsimimin e personelit dhe disa nga fushat kryesore të bashkëpunimit me partnerët. Kapiten Kesgin falënderoi për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit e partneritetit ushtarak midis Forcës Detare dhe strukturave të NATO-s, ku vend të veçantë zë bashkëpunimi me grupin SNMCMG2, një bashkëpunim që do të vazhdojë në trajnimin e përbashkët, operacionet ndihmuese në luftën kundër terrorizmit detar dhe aktivitete të tjera.
NË BASHKI
Në vijim të vizitave të tyre paraditen e 11 shtatorit 2015 drejtuesit e grupit SNMCMG2 zhvilluan një vizitë në bashkinë e qytetit të Vlorës ku u pritën nga zëvendëskryetari i saj Arben Beqiraj. Numri 2 i bashkisë u uroi qëndrim të qetë në Vlorë ushtarakëve miq dhe i njohu me disa ndryshime gjeografike (sipërfaqja) dhe demografike që kanë ndodhur në bashkinë e Vlorës mbas zgjedhjeve vendore të këtij viti. Gjithashtu ai ftoi personelin e grupit të shijojë bukuritë natyrore-turistike të qytetit, pasuritë kulturore-historike dhe traditat e zonës. “Jam me fat që kam pritur dhe vitin e kaluar këtë grup, por në një muaj tjetër, ndërsa tani ju vini pa u mbyllur sezoni turistik”, tha zëvendëskryetari i bashkisë. Ndërkohë ai u përcolli ushtarakëve të huaj dhe urimin e kryetarit të bashkisë, i cili për arsye pune nuk ndodhej në takim. Kapiten Kesgin falënderoi Beqirajn për pritjen e bërë dhe nënvizoi qëllimin e kësaj vizite në portin e Vlorës, si pjesë e programeve të përbashkëta me ushtrinë dhe flotën shqiptare.
NË INSTITUCIONIN E PREFEKTIT
Po atë ditë drejtuesit e këtij komponenti detar të NATO-s zhvilluan një vizitë në institucionin e Prefektit të Vlorës ku u pritën nga prefekte Etjona Hoxha. Gjatë takimit Hoxha theksoi rëndësinë e partneritetit të vendit tonë me NATO-n dhe vendosmërinë e shtetit shqiptar për të përmbushur gjithë detyrimet që rrjedhin si pjesë e aleancës. Duke i uruar një qëndrim sa më atraktiv në Vlorë personelit të anijeve, Hoxha evidentoi para ushtarakëve të NATO-s disa nga projektet kryesore infrastrukturore për zhvillimin e qytetit të Vlorës, sidomos ai për zgjerimin e portit. Dhe në këtë takim kapiten Kesgin, falënderoi për mikpritjen dhe theksoi misionin e SNMCMG2, si strukturë e NATO-s që zgjidh një shumëllojshmëri të gjerë detyrash dhe operacionesh. Grupi është i aftë për të mbështetur operacionet anti-terroriste, është i gatshëm për të ndihmuar në parandalimin e situatave të krizës dhe konflikteve në dete. Njësitë brenda grupit janë gjithashtu në gjendje të kryejnë operacione të heqjes se minave detare, kërkim-shpëtimit (SAR), operacione të evakuimit për popullatën civile, gjatë së cilës civilët janë evakuuar nga zonat e rrezikuara. Këto detyra tregojnë qartë se NATO-ja, me strukturën e SNMCMG2 dhe të gjitha shtetet e tij, janë të vendosur për të ruajtur paqen dhe sigurinë në mbarë botën sidomos në det, ku përfshihet dhe Shqipëria. Në përfundim kapiten Kesgin vlerësoi forcimin e bashkëpunimit me Forcat e Armatosura në të ardhmen. Në fund të takimeve u shpërndanë dhe dhurata simbolike midis palëve.
BUKURITË
Gjatë ditëve të qëndrimit në Vlorë efektivat e anijeve të këtij grupi po zhvillojnë vizita njohëse në qytetin e Vlorës, vizita në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, Kalanë e Kaninës dhe objekte të tjera muzeore e kulturore. Kuptohet që në këto ditë të bukura shtatori marinarët e shumtë të NATO-s po shijojnë bukuritë e plazheve të Vlorës dhe shumëllojshmërinë e ushqimeve tradicionale të kësaj treve. Ndërkohë përfaqësues të pushtetit qendror e vendor, të subjekteve e institucioneve detare të Vlorës kanë zhvilluar dhe vizita në anijet e grupit. Krahas këtyre aktiviteteve me përfaqësuesit dhe komunitetin civil, efektivat e anijeve aleate do zhvillojnë stërvitje të përbashkët me anijet e Flotiljes Detare, ku bazë do të jenë ato me tematikë “PASSEX”, patrullim, lundrim i përbashkët, shkëmbim sinjalesh, bordim anijesh, veprime antiterroriste në det, etj. Më 13 shtator grupi SNMCMG2 do të largohet nga porti i Vlorës.
Është viti i shtatë që ky grup zhvillon vizitë në Shqipëri, vizitën e parë e ka zhvilluar në portin e Durrësit më 3-7 mars 2008.
Info
TCG Sokullu Mehmet Paşa (A-577), anije flamurtare, pjesë e flotës turke, përmasa 18.8×11.8×4.4 mt, tonazh-2940, shpejtësi-20 nyja.
TCG Akcakoca, M 268, pjesë e flotës turke, përmasa 54.4×9.2×2.6 mt, tonazh-650 t, shpejtësia-18 nyja.
M 63 Kallisto, pjesë e flotës greke, përmasa 60×9.8×2.2 mt, tonazh-750 t, shpejtësi -17 nyja.
SGGS Wielhelm, M-1059, pjesë e flotës gjermane, përmasa 54.4×9.2×2.6, tonazh-650 t, v-18 nyja.
Vlorë, 11, 12 shtator 2015
/portali “DurresLajm”/