Një relike e rrallë nga tragjedia e Titanic ka thyer çdo parashikim në një ankand të fundit, duke u shitur për plot 670,000 paundë.
Jeleku i shpëtimit, i përdorur nga pasagjerja e klasit të parë Laura Mabel Francatelli, është objekti i vetëm i këtij lloji nga një e mbijetuar që është nxjerrë ndonjëherë në ankand në më shumë se një shekull. Francatelli ishte ndër rreth 700 fatlumët që arritën të mbijetojnë katastrofën e vitit 1912, pasi përdori jelekun përpara se të hipte në një varkë shpëtimi.
I ruajtur me kujdes ndër vite, jeleku mban firmat e të mbijetuarve dhe paraqet detaje unike, si 12 xhepa funksionalë, mbështetëse për shpatullat dhe rripa anësorë – elemente që e bëjnë atë një dëshmi të gjallë të dramës së asaj nate fatale.
Ankandi u zhvillua nga Henry Aldridge & Son, ndërsa ankandieri Andrew Aldridge e cilësoi shitjen si një moment të jashtëzakonshëm, duke theksuar interesin e pandërprerë të publikut për historinë e Titanikut dhe njerëzit që ishin pjesë e saj.
Në të njëjtin ankand u shit edhe një jastëk sediljeje nga një prej varkave të shpëtimit për 390,000 paundë. Ky objekt lidhet me Richard William Smith, një importues çaji nga Londra që humbi jetën në tragjedi, pasi anija u përplas me një ajsberg në Oqeanin Atlantik. Trupi i tij nuk u gjet kurrë.
Jastëku u ble nga Titanic Museum Attraction, ku do të ekspozohet për vizitorët, duke sjellë më pranë historinë prekëse të Titanikut.
Ky ankand vjen në një kohë simbolike, pasi në Southampton u përkujtua 114-vjetori i fundosjes së anijes, një ngjarje që vijon të mbetet ndër më të dhimbshmet dhe më të përfolurat në historinë detare.





