TIRANE– Gjendja aktuale në Shqipëri zgjon ndjenja përgjithësisht negative tek shqiptarët. Ky është përfundimi i një ankete të opinionit publik të zhvilluar nga Instituti Kombëtar Demokrat, një organizatë amerikane joqeveritare e krijuar për të nxitur përhapjen e parimeve demokratike.

Instituti sapo ka botuar një analizë të anketave të zhvilluara, të titulluar “Putting People First” – Njerëzit në Radhë të Parë, ku rezulton se pjesa më e madhe e shqiptarëve mendojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar. Shumë nga të anketuarit veçojnë ndër problemet kryesore, ritmet e papunësisë, koston e lartë të jetesës dhe pagat e ulëta, si dhe mungesën e alternativave për brezin e ri.

Të anketuarit shprehen të shqetësuar për gjendjen në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, që i shohin edhe si faktorë vendimtarë për cilësinë e dobët të jetesës. Në këto sektorë, të anketuarit veçojnë probleme korrupsioni dhe mungesë profesionalizmi dhe kompetence.

Studimi vëren se pjesëmarrësit shprehen të shqetësuar për sigurinë e jetës, një reagim i amplifikuar në masë të madhe nga kronikat e zeza që mbushin buletinet e lajmeve dhe gazetat. Për problemet që përmendin, pjesëmarrësit fajësojnë kryesisht forcat politike në pushtet, por edhe krizën globale që ka përfshirë botën. Bashkimi Evropian mbetet për pjesëmarrësit një ndër objektivat madhore të vendit dhe rrugëdalja që ata shohin për shumë prej problemeve të vendit. Studimi nxori në pah sa shqetësues mbetet korrupsioni për shoqërinë shqiptare.

Thuajse në të gjitha grupet e organizuara për anketim, pati pjesëmarrës që sillnin shembuj nga përvoja vetjake, ku ishin detyruar të paguanin policë, infermierë, mjekë, mësues ose punonjës të sektorit shtetëror për të mundësuar shërbime bazë. Korrupsioni shihet si një fenomen i gjerë që ka prekur në formë të organizuar sistemin qeverisës. Pjesëmarrësit në anketim fajësojnë për problemin mungesën e vullnetit politik për ta luftuar këtë fenomen.

Shqiptarët vazhdojnë të ushqejnë një ndjenjë pesimizmi dhe dëshpërimi nga atmosfera e përgjithshme politike në vend. Gjatë anketimit, përfaqësues të të gjitha grupeve demografike shprehen të irrituar nga retorika politike dhe fryma antagoniste në skenën publike në vend. E gjithë kjo ka ndikuar negativisht në perceptimin e institucioneve demokratike. Megjithëse pjesëmarrësit shprehin interes për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ata shfaqin mosbesim të hapur tek procesi dhe mundësia që zgjedhjet të sjellin ndryshime të mirëfillta.

Roli i gruas në jetën publike mbetet i kufizuar dhe dallimet gjinore shihen si një fenomen që ka ndikuar negativisht në pjesëmarrjen e gruas në politikë. Në këtë atmosferë, ndjehet mungesa e një roli aktiv të shoqërisë civile. Studimi zbulon një mungesë angazhimi dhe besimi ndaj organizatave joqeveritare, të cilat pjesëmarrësit në anketë i shohin me dyshim si operacione pa funksion të qartë ose pa rol të dukshëm.

Studimi i Institutit Kombëtar Demokratik u bazua në anketimet e zhvilluara nga 10-18 tetor 2012 me 10 grupe të veçanta në katër rajone të Shqipërisë: Tiranë, Shkodër, Fier dhe Korçë.

 

                                                            Marrë nga “Zëri i Amerikës”