Mund të thuhet se porti i Durrësit është kthyer tashmë në një pikë të rëndësishme të itinerarit të anijeve turistike që përshkojnë Mesdheun. Bashkëpunimi i frytshëm mes autoriteteve shqiptare dhe kompanive turistike vendase e të huaja ka rritur në mënyrë të ndjeshme numrin e turistëve që mbërrijnë në portin e Durrësit në bordin e anijeve luksoze. Vetëm gjatë këtij viti numri i kroçerave dhe jahteve të ankoruara në portin më të madh në vend e kalon shifrën 40. E fundit në rradhë, por jo e fundit për këtë vit ishte kroçera “Artania”. Ndërsa kompanitë turistike të huaja kanë nisur prenotimet për vitin e ardhshëm, 1.100 turistë nga 7 vende të ndryshme të botës kanë  mbërritur me kroçerën “Artania”. Sipas të dhënave të agjencive turistike, kroçera po zhvillon një tur mesdhetar 15 ditor, që ka nisur nga porti i Rodosit në Greqi më 28 tetor, për të vijuar më pas në Alania (Turqi), Limasol (Qipro), Heraklion e Santorini (Greqi), Kotorr (Mal i Zi), Dubrovnik (Kroaci), Venecia e Trieste (Itali) dhe një vizitë në Split të  Kroacisë.

Turistët e huaj, kryesisht gjermanë, të intervistuar nga gazeta “Dyrrah” janë shprehur se kanë dëgjuar më parë për vendin tonë, dhe meqë përshkruhet si vendi më i varfër i Europës janë mahnitur me ndryshimet e ndodhura në Shqipëri. Kroçera “Artania” është anija turistike më e madhe e ankoruar ndonjëherë në portin e Durrësit. Ajo është e gjatë 230 metra, e gjerë 33 metra dhe zhytje 8 metra. Mësohet se në bordin e saj udhëtojnë 1.106 turistë të huaj, ndër të cilët 980 Gjermanë, 10 Austriakë, dhe pjesa tjetër nga SHBA, Franca, Belgjika, Anglia dhe Argjentina. “Artania” është ankoruar mëngjesin e 8 tetorit në kalatën 5 të portit, ndërsa mësohet se anija turistike pritet të kryejë përsëri lundrime të tjera drejt portit të Durrësit. Shtimi i numrit të anijeve turistike që përfshijnë portin e Durrësit në itinerarin e tyre, lind tashmë si domosdoshmëri urgjente nevojën e thellimit të basenit të portit më të madh në vend, pasi në këtë mënyrë shumë kroçera të tjera gjigande mund të ankorohen në kalatat e tij.

Për shkak të përmasave të mëdha që kishte kroçera, autoriteti portual ka marrë masa të rrepta për pritjen dhe ankorimin e saj. Anija ka kërkuar që prej një viti leje për t'u ankoruar në portin e Durrësit, por vetëm tani është bërë e mundur mbërritja dhe ankorimi i saj. Për shkak të përmasave të mëdha kroçera ka hasur mjaft vështirësi në ankorim. Për të evituar çdo lloj problemi që mund të krijohej gjatë ankorimit, autoriteti portual i ka kushtuar rëndësinë maksimale këtij operacioni. Pilotit Lulëzim Hate i është dashur më shumë se 1 orë e 30 minuta për t'a ankoruar anijen. Piloti Hate është ndihmuar nga dy rimorkiatorë, të cilët kanë qenë të lidhur në dy krahët e kroçerës për të evituar çdo lëvizje të pakujdesshme, që mund të sillte pasoja të rënda për anijen turistike. Hate tregon për gazetën “Dyrrah” se e ka patur shumë të vështirë të ankoronte kroçerën “Artania”, megjithatë ai shprehet i lumtur se pavarësisht vështirësive, operacioni u mbyll me sukses të plotë.