TIRANË-DURRËS, 7 shtator 2013 – Për dy fabrika private të çimentos në qarkun e Durrësit, dhe tri të tjera (Elbasan, Tiranë, Lezhë) nuk provohet sjellja e koordinuar ndërmjet ndërmarrjeve ose komunikimi mes palëve prodhuese dhe importuese të produktit çimento rinfuso dhe me thasë, nuk mund të evidentohet marrëveshje e ndaluar, kështu ka vendosur Autoriteti shqiptar i Konkurrencës. Ishte marrë një vendim nga Komisioni i Konkurrencës për procedurat e hetimit të thelluar në  tregun e prodhimit/importit dhe shitjes me shumicë të çimentos. Sipas Antitrustit shqiptar, bazuar në raportin e hetimit, u realizuan seancat dëgjimore me palët, në të cilat Komisioni i Konkurrencës dëgjoi pretendimet e palëve nën hetim në lidhje me raportin e Sekretariatit vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të çimentos 42.5  rinfuso dhe të paketuar, ndaj ndërmarrjeve “Antea Cement” Sha (Kashar, Tiranë), “Fushe-Kruje Cement Factory”, Shpk, “Elbasan Factory” Shpk, “Eurotech Cement” Shpk (Shkozet Durrës) dhe “Colacem Albania” Shpk (Lezhë). Të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit dhe të importit të produktit çimento 42.5 R, duke filluar nga data 22 shkurt 2012 (ndërmarrjet prodhuese), deri në datën 2 mars 2012 (ndërmarrjet importuese), kishin rritur në mënyrë të njëkohshme dhe në një masë të konsiderueshme çmimin e tregtimit me shumicë të produktit çimento 42.5 R, gjë e cila në kuptim të nenit 4, pika 1, germa (a) e Ligjit mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar dhe/ose sjellje të koordinuar midis ndërmarrjeve që operojnë në tregun përkatës. Autoriteti i Konkurrencës, nëpërmjet një arsyetimi të hollësishëm hedh poshtë dyshimet. Nisur nga fakti se qarku i Durrësit është prodhuesi, importuesi dhe konsumuesi më i madh i çimentos në vend, “Dyrrah”-u, pasi ka siguruar vendimin përkatës, e riboton të plotë.

DOKUMENTI

Autoriteti i Konkurrencës – Komisioni i Konkurrencës. Vendim Nr. 291, datë 23.7.2013 “Mbyllja e hetimit të thelluar në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të çimentos 42.5 rinfuso dhe të paketuar ndaj ndërmarrjeve “Antea Cement” Sha, “Fushe-Kruje Cement Factory”, Shpk, “Eurotech Cement” Shpk, “Elbasan Cement Factory” Shpk dhe “Colacem Albania” Shpk”, Komisioni i Konkurrencës, me pjesëmarrjen e Lindita Milo (Lati) kryetare; Rezana Konomi zëvendëskryetare; Servete Gruda anëtare; Koço Broka anëtar; Iva Zaimi anëtare. Në mbledhjen e tij të datës 23.07.2013, shqyrtoi çështjen me objekt: Ekzistenca ose jo e marrëveshjes së ndaluar ndërmjet ndërmarrjeve “Antea Cement” Sha, “Fushe-Kruje Cement Factory”, Shpk, “Eurotech Cement” Shpk, “Elbasan Cement Factory” Shpk dhe “Colacem Albania” Shpk në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të çimentos 42.5 rinfuso dhe të paketuar. Baza ligjore: Neni 24, shkronja d); neni 26; neni 4, pika 1; të Ligjit Nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar); Ligji Nr. 8485, datë 11. 11. 1999 “Kodi i procedurave administrative”. Komisioni i Konkurrencës pas shqyrtimit të Raportit të hetimit të thelluar në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të çimentos 42.5 rinfuso dhe të paketuar, të paraqitur nga Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës dhe relacionit shoqërues; pretendimeve të ndërmarrjeve nën hetim “Antea Cement” Sha, “Fushe-Kruje Cement Factory”, Shpk, “Eurotech Cement” Shpk, “Elbasan Cement Factory” Shpk dhe “Colacem Albania” Shpk,  në seancat dëgjimore përkatëse: të datës 25.5.2013, 20.6.2013, 21.6.2013 dhe 2.7.2013, si dhe ato me shkrim të dorëzuara pranë Autoritetit të Konkurrencës, përkatësisht me shkresat me nr. 205/11 prot, datë 25.5.2013, nr. 205/9 prot. datë 20.6.2013, nr. 229/1 prot. dt. 21.6.2013, nr. 228/1 prot. datë 21.6.2013, dhe 205/9 prot. datë 14.6.2013 dhe nr. 205/10 prot. datë 26.6.2013, kundërpretendimeve të grupit të punës dhe relacionit përkatës, vëren se:

I. PROCEDURA

Autoritetit të Konkurrencës, në bazë të informacioneve se në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të çimentos kishte rritje të njëkohshme të çmimeve të shitjes, duke dyshuar për një marrëveshje të fshehtë për rritjen e çmimit të çimentos, monitoroi tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të produktit çimento. Komisioni i Konkurrencës, pas shqyrtimit të kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm dhe raportit të monitorimit, në zbatim të nenit 42, pika 1, të Ligjit Nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar (këtu e në vijim Ligji), me anë të Vendimit Nr. 233, datë 16.07.2012 “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e prodhimit, importit dhe shitjes me shumicë të çimentos”, vendosi të miratojë hapjen e procedurës së hetimit paraprak, për të parë nëse ka kufizime apo shtrembërime të konkurrencës në këtë treg. Në përfundim të hetimit paraprak, rezultoi se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit dhe të importit të produktit çimento 42.5 R, duke filluar nga data 22 shkurt 2012 (ndërmarrjet prodhuese), deri në datën 2 mars 2012 (ndërmarrjet importuese), kishin rritur në mënyrë të njëkohshme dhe në një masë të konsiderueshme çmimin e tregtimit me shumicë të produktit çimento 42.5 R, gjë e cila në kuptim të nenit 4, pika 1, germa (a) e Ligjit mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar dhe/ose sjellje të koordinuar midis ndërmarrjeve që operojnë në tregun përkatës. Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të nenit 24, germa (d) dhe nenit 43, pika 1, të Ligjit, si dhe të nenit 12 të Rregullores “Për funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës”, me propozim të Sekretariatit, me anë të Vendimit Nr. 253, datë 3.12.2012, “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të çimentos 42.5 rinfuso dhe të paketuar”, vendosi hapjen e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë treg dhe konkretisht: “Antea Cement” Sha, “Fushe-Kruje Cement Factory” Shpk, “Elbasan Cement Factory” Shpk, “Eurotech Cement” Shpk dhe “Colacem Albania” Shpk.  5. Në vazhdim të procedurës, Sekretari i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës, realizoi njoftimin e ndërmarrjeve nën hetim në lidhje me Vendimin e Komisionit të  Konkurrencës Nr. 253, datë 03.12.2012. Në zbatim të nenit 39 të Ligjit, Komisioni i Konkurrencës organizoi seancat dëgjimore, në të cilat ndërmarrjet nën hetim paraqitën në mënyrë verbale edhe me shkrim pretendimet e tyre mbi raportin e hetimit të thelluar si dhe evidencat përkatëse. Pretendimet e palëve me shkrim, si dhe evidencat përkatëse u depozituan në protokollin e Autoritetit të Konkurrencës, të cilat janë marrë në konsideratë nga Komisioni i Konkurrencës.

II. PERIUDHA E HETIMIT DHE NDËRMARRJET NËN HETIM

7. Periudha e hetimit, e përcaktuar nga Komisioni i Konkurrencës në Vendimin Nr.  253, datë 03.12.2012, “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të çimentos 42.5 rinfuso dhe të paketuar” përfshin periudhën kohore nga 01.01.2011 deri në 31.12.2012. 8. Ndërmarrjet në hetim të përcaktuara me anë të Vendimit të Komisionit të  Konkurrencës Nr. 253 datë 03.12.2012 që ushtrojnë veprimtari në tregun e importit dhe prodhimit të çimentos në Republikën e Shqipërisë janë: ndërmarrja “Antea Cement” Sha, person juridik shqiptar, me seli në adresën: Autostrada Tiranë-Durrës, Km. 7, Katund i Ri, Kashar, Tiranë; ndërmarrja “Colacem Albania” Shpk, person juridik shqiptar, me seli në adresën: Rruga Nacionale Lezhew-Shkodër, Km. 7, Balldre, Lezhë; ndërmarrja “Fushe-Kruje Cement Factory” Shpk, person juridik shqiptar, me seli në adresën: Fabrika e Çimentos Fushë Krujë; ndërmarrja “Elbasan Cement Factory” Shpk, person juridik shqiptar, me seli në adresën: Rruga Abdyl Frashëri, Pallati Nr. 11/1, Kati 7, Tiranë; Ndërmarrja “Eurotech Cement” Shpk, person juridik shqiptar, me seli në adresën lagjja nr. 14, Shkozet, Durrës. Referuar ekstrakteve të regjistrit tregtar të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), rezulton se ndërmarrja “Seament Holding” zotëron me anë të ndërmarrjes “Seament Albania” Shpk 77% të pjesëve të kapitalit të ndërmarrjes “Elbasan Cement Factory” Shpk dhe 100% të pjesëve të kapitalit të ndërmarrjes “Fushe-Kruje Cement Factory” Shpk. Gjithashtu referuar ekstrakteve të QKR-së, edhe disa prej përfaqësuesve ligjore të këtyre ndërmarrjeve janë të njëjtë.

III. ANALIZA E KONKURRENCES

III.1. Tregu përkatës. Përcaktimi i tregut përkatës është realizuar në bazë të Udhëzimit Nr. 76, datë 7/6/2008 “Për përcaktimin e tregut përkatës”. Përkufizimi i tregut përkatës përfshin dy dimensione: tregu përkatës i produktit dhe tregu përkatës gjeografik.III.1.1 Tregu përkatës i produktit. Në vlerësimin e tregut përkatës janë marrë në konsideratë faktorë si zëvendësueshmëria nga ana e kërkesës dhe nga ana e ofertës. Në përputhje me objektin e hetimit është marrë parasysh diferenca në çmim midis çimentos së bardhë, gri dhe të zezë. Në analizë është marrë çmimi CIF për të tre kategoritë. Ka një variacion të konsiderueshëm çmimi midis çimentos gri, çimentos së zezë dhe të bardhë, përkatësisht 12% ndërsa për çimento e bardhë 3-fishi i grisë. Pra, ka zëvendësueshmëri të ulët nga ana e kërkesës duke pasur parasysh variacionin e lartë në çmim. Këto produkte kanë një zëvendësueshmëri të ulët edhe për shkak të destinacionit final të përdorimit, ku çimento e bardhë përdoret për punime dekorative e skulptura, çimento e zezë për ndërtimin e strukturave të forta, (ura etj.) ndërsa çimentoja gri, përdoret për ndërtim për prodhimin e betonit. Çimento gri rinfuso është e ndarë në disa klasa, duke filluar nga 32.5 R deri në 52.5 R. Kjo ndarje varet nga cilësia e çimentos, dhe masa e klinkerit, fakt i cili ndikon në sasinë e çimentos që përdoret si dhe në vlerën e tij si input për procese të njëjta. Duke marrë në konsideratë shkallën e zëvendësueshmërisë së llojeve të çimentos si dhe efektet në nivelin e çmimeve në raport me sasinë, konkludojmë se tregu përkatës i produktit çimento 42.5 R rinfuso dhe me thasë, është veçuar nga kategoritë e tjera të çimentos për vetë faktin se karakteristikat e tij janë të veçanta dhe nuk mund të përdoret nga ndërmarrjet e ndërtimit në të njëjtat procese teknike si produktet e tjera të çimentos. Pra, duke u bazuar në karakteristikat e produktit, Çimento 42.5 R dhe e Paketuar përbën tregun përkatës të produktit. III.1.2. Tregu përkatës gjeografikTreg përkatës gjeografik do të konsiderohet tregu i brendshëm, tregu gjeografik, i cili përfshin territorin e Republikës së Shqipërisë. III.2. Struktura e tregut: bazuar në të dhënat e përpunuara nga grupi i punës si dhe nga të gjitha evidencat e paraqitura nga ndërmarrjet objekt hetimi gjatë seancave dëgjimore, është paraqitur struktura e tregut sipas treguesit të shitjeve në tregun kombëtar dhe atë ndërkombëtar të produktit përkatës, çimento 42.5R dhe të paketuar, në tabelën “Pjesët e tregut sipas totalit të shitjeve brenda dhe jashtë vendit të produktit përkatës për vitet 2011 dhe 2012”. Nga të dhënat e pjesëve të tregut vërehet se dy prodhuesit vendas (“Elbasan Cement Factory” shpk dhe “Fushe-Kruje Cement Factory” shpk, si dhe “Antea Cement” sha) kanë një pjesë të konsiderueshme tregu (mbi 40% secila). Në këtë mënyrë tregu i prodhimit të produktit përkatës është një treg duopol. Ndërsa i gjithë tregu objekt hetimi është shumë i përqendruar. Nga të dhënat e tabelës konstatohet se në rastin e tregut përkatës ka një ndryshim të pjesëve të tregut të ndërmarrjeve nga njëri vit në tjetrin. Fakt i cili tregon se tregu nuk ka qenë statik gjatë periudhës objekt hetimi. III.3. Vlerësimi i sjelljes së ndërmarrjeve objekt hetimi në tregun përkatësGjatë procedurave hetimore u kryen inspektime (Dawn Raids) në ambientet e ndërmarrjeve nën hetim për gjetjen e evidencave direkte dhe indirekte të një bashkëpunimi të mundshëm midis konkurrentëve, por gjatë këtyre inspektimeve nuk u gjet asnjë prove direkte apo gjurmë komunikimi midis tyre. Nga analiza e strukturës se tregut të prodhimit, importit dhe shitjes me shumicë të çimentos 42.5R dhe e paketuar u konstatua se ky treg është shumë i përqendruar dhe se gjatë vitit 2012 ndërmarrjet nuk kanë ruajtur pjesët e tregut përkatës krahasuar me vitin 2011. Për të identifikuar sjelljen e ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit dhe të importit të çimentos, në lidhje me çmimin e tregtimit të këtij produkti nga Grupi i Punës janë parë të gjitha faturat ditore të shitjes së këtij produkti, rinfuso dhe të paketuar për vitet 2011 dhe 2012. Nga analiza e faturave të shitjes të ndërmarrjeve, rezulton se dy ndërmarrje prodhuese të çimentos “Antea Cement” Sha dhe “Fushe-Kruje Cement Factory” Shpk, në datën 22.2.2012, kanë rritur çmimin e tregtimit të çimentos Rinfuso 42.5 R, përkatësisht ndërmarrja “Antea Cement” e ka rritur nga 47 euro/ton në 62 euro/ton (32% rritje), kurse ndërmarrja “Fushe-Kruje Cement Factory” Shpk e ka rritur nga 46 euro/ton në 60 euro/ton (31% rritje). Palët kanë pretenduar ky çmim nuk pasqyron saktë realitetin pasi nuk merr parasysh skontot për sasi dhe për tregti afatgjatë, të cilat pasqyrohen në blerjet e muajve të mëvonshëm. Nga analiza e faturave së shitjes, rezulton se 2 (dy) ndërmarrjet importuese “Eurotech Cement” Shpk dhe “Colacem Albania” Shpk, përkatësisht në data 1.3.2012 dhe 2.3.2012, kanë rritur çmimin e tregtimit të produktit çimento Rinfuso 42.5 R, përkatësisht ndërmarrja “Colacem Albania” Shpk e ka rritur çmimin nga 45 euro/ton në 61 euro/ton (36% rritje), kurse ndërmarrja “Eurotech Cement” Shpk nga 51 euro/ton në 61 euro/ton (20% rritje). Nga krahasimi i çmimeve mesatare mujore të shitjes së produktit çimento 42.5  nga ana e ndërmarrjeve importuese dhe prodhuese në vend për vitet 2011-2012 dhe kostove përkatëse të prodhimit dhe importit, konstatohet se ka një rritje të fortë e të njëkohshme të çmimeve mesatare mujore, gjë e cila del në pah për periudhën shkurt 2012 dhe paraqitet e plotë në muajin mars 2012. Kjo sjellje e ndërmarrjeve nën hetim ka zgjatur deri në muajin gusht 2012. Nga analiza e faturave rezulton se ndërmarrjet prodhuese “Antea Cement” Sha dhe “Fushe-Kruje Cement Factory” Shpk në fillim të muajit gusht 2012 kanë filluar të ndryshojnë çmimin e tregtimit të produktit çimento 42.5 R, duke e ulur atë. Gjithashtu dhe ndërmarrja importuese “Colacem Albania” Shpk e ka ndryshuar çmimin e tregtimit të produktit çimento 42.5 R, duke e ulur atë ne fund të muajit gusht 2012. Ndërmarrja tjetër importuese “Eurotech Cement” Shpk nuk e ka ndryshuar çmimin, duke vazhduar të tregtojë në të njëjtat nivele. Duke qenë se gjatë inspektimeve nuk u gjetën evidenca direke të komunikimit mes konkurrenteve, bazuar në metodologjinë e OECD-së, janë kryer analiza ekonomike me qellim evidentimin e sjelljes së mundshme të bashkërenduar mes konkurrentëve për rritjen e njëkohshme të çmimit të shitjes së produktit përkatës. Analiza e sjelljes se ndërmarrjeve në lidhje me çmimin e shitjes me shumicë ka për qëllim të vlerësojë nëse ndërmarrjet vendosin direkt apo indirekt çmimet e shitjes me shumicë në mënyrë të koordinuar apo mbi bazën e politikave dhe/ose strategjive individuale gjatë periudhës objekt hetimi. Ndërmarrjet “Colacem Albania” Shpk dhe “Eurotech Cement” Shpk, gjatë seancave dëgjimore, kanë pretenduar që sjellja e tyre është karakterizuar si sjellja e një ndjekësi (pasuesi). Kjo sjellje e tyre është në përputhje me praktikën e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në rastin Woodpulp II ku theksohet se: “Megjithëse neni 85 i Traktatit (sot neni 101 i TFBE ekuivalent me nenin 4, të Ligjit), ndalon çdo formë bashkëpunimi që shtrembëron konkurrencën, ai nuk privon operatorët ekonomikë nga e drejta për t’u përshtatur në mënyrë inteligjente ndaj sjelljes ekzistuese dhe të pritshme të konkurrentëve të tyre”. Palët pretendojnë se gjatë periudhës 2011 dhe 2012, kanë pësuar humbje operative dhe zvogëlim të pjesëve të tregut dhe në këtë mënyrë i janë përshtatur sjelljes së konkurrentëve të tyre (prodhuesve vendas të çimentos), duke rritur çmimet në mënyrë që të rrisnin fitimin e tyre. Kjo rritje ka ndodhur disa ditë pas rritjes së çmimit nga prodhuesit vendas. Nëse u referohemi të dhënave të administruara nga ndërmarrjet prodhuese objekt hetimi, pretendohet se ka pasur shkaqe të ndryshme të rritjes së çmimit, të cilat kanë ndikuar në një politikë të pavarur të përcaktimit të çmimit nga ana e tyre. Disa nga argumentet e paraqitura gjatë procedurës janë: tregues të ndryshëm të tregut si çmimet, pjesët e tregut, sasitë e shitura kanë qenë të ndryshueshme përgjatë gjithë periudhës në hetim duke qenë një tregues i konkurrencës dhe jo i bashkërendimit të sjelljes; ka pasur arsye të ndryshme për rritjen e kostos totale të produktit (si rritja e akcizës së karburanteve, taksa e karbonit, çmimi i blerjes e energjisë, renta minerare etj, të shkaktuara nga ndryshime ligjore të miratuara në fund të vitit 2011 fillim 2012); norma e fitimit ka qenë e ulët ose negative (ka pasur humbje); rritje e importeve nga vendet fqinje; mos-rimbursimi i TVSH; transparenca e tregut për shkak të homogjenitetit të produktit, e numrit të vogël të ndërmarrjeve ku çmimet e konkurrentëve monitorohen nga njëri tjetri apo nga klientët; tre ndërmarrjet që prodhojnë çimento në vend janë nën kapacitete potenciale të prodhimit (deklaruar në procesverbale nga drejtorët përkatës), duke mosrikuperuar kostot fikse të produktit për njësi që në këto raste janë të larta dhe risin humbjen për njësi; ndërmarrjet kanë provuar me anë të analizës së kostove se gjatë periudhës maj 2011-shkurt 2012 janë përballur me humbje për njësi, madje çmimet e shitjes së produktit çimento 42.5 R Rinfuso dhe të paketuar kanë qenë nën koston e ndryshueshme mesatare duke mos justifikuar as operimin e tyre në treg. Bazuar në evidencat e grumbulluara gjatë procedurës hetimore si dhe në faktet e paraqitura nga ndërmarrjet objekt hetimi gjatë seancave dëgjimore, rezulton se rritja pothuajse e njëkohshme e çmimeve të shitjes nga prodhuesit dhe importuesit ka ardhur si rezultat i një sjellje dhe strategjie individuale konkurruese për t’iu përshtatur kushteve të tregut gjatë periudhës objekt hetimi, dhe nuk është shkaktuar nga një sjellje e bashkërenduar. Si konkluzion, sjellja e bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit (“Antea Cement” Sha dhe “Fushe Kruje Cement Factory” Shpk) dhe të importit (“Colacem Albania” Shpk dhe “Eurotech Cement” Shpk) për produktit çimento Rinfuso dhe me thasë 42.5 R, duke filluar nga data 22 shkurt 2012 (ndërmarrjet prodhuese) deri në datën 2 mars 2012 (ndërmarrjet importuese), në kushtet e mungesës së evidencave direkte apo të evidencave të komunikimit, nuk provohet pasi ndryshimi pothuajse i njëkohshëm i çmimeve, nuk mund të përbëjë provë për një marrëveshje të ndaluar në formën e sjelljes së bashkërenduar, përveçse kur bashkërendimi është i vetmi shpjegim për sjelljen paralele. Tregu objekt hetimi paraqet një shkallë të lartë përqendrimi si dhe është i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Struktura oligopolistike e tij është më e ekspozuar ndaj praktikave të mundshme anti-konkurruese. Për këto arsye: Komisioni i Konkurrencës, në mbështetje të nenit 24, shkronja d), nenit 43, pika 5 të Ligjit Nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” i ndryshuar, vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të çimentos 42.5 rinfuso dhe të paketuar ndaj ndërmarrjeve “Antea Cement” Sha, “Fushe-Kruje Cement Factory”, Shpk, “Elbasan Factory” Shpk, “Eurotech Cement” Shpk dhe “Colacem Albania” Shpk”; Monitorimin në vazhdim të tregut të prodhimit, importit dhe shitjes me shumicë të çimentos. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për zbatimin e këtij vendimi dhe për komunikimin e tij ndërmarrjeve të mësipërme. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. KOMISIONI I KONKURRENCËS.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/